
Tiranë- Policia ka goditur një grup të huaj që vepronte në territorin e vendit tonë duke mashtruar qytetarët nëpërmjet faqeve të falsifikuara.
Në pranga kanë rënë dy shtetas kinezë të identifikuar si Cunfeng Fan, 51 vjeç dhe Haike Yan, 45 vjeç. Të dy këta persona akuzohen se kishin krijuar një faqe interneti identike me atë të Postës Shqiptare për të mashtruar qytetarët shqiptarë dhe për t’u vjedhur atyre të dhënat e tyre personale dhe bankare.
Sipas hetimeve të deritanishme të policisë, dy kinezët kishin hyrë në vendin tonë më 27 tetor të këtij viti. Gjatë kontrollit në bazën e tyre janë gjetur dhe sekuestruar: 17 telefona, 1 laptop, 12 pasaporta, 11 karta bankare, 7 karta identiteti, 1 patentë dhe shuma parash në valuta të ndryshme.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes ndaj çdo mesazhi që u kërkon atyre të dhëna personale apo të klikojnë në linqe të ndryshme. Ndërsa gjithashtu u kërkon qytetarëve që mund të kenë rënë pre e këtyre mashtrimeve online që të paraqiten në drejtorinë më të afërt të policisë. Versus.al
