AKTUALITET /

Vrasja e informatorit të grupeve kriminale me urdhër nga Dubai, autori rumun pas krimit sillej si turist

Shkruar nga Versus
Vrasja e informatorit të grupeve kriminale me urdhër nga Dubai, autori
Viktima, Renato Hoxhaj

Detaje të reja janë zbardhur në emisionin “Në Shënjestër” lidhur me vrasjen e Renato Hoxhajt të ndodhur më 27 prill të vitit 2025 në Vlorë. Në dosje bëhet me dije se kamerat e sigurisë kanë filmuar autorin rumun, Daniel Cornea i cili kishte vepruar në Shqipëri përgjatë një jave për të eleminuar Hoxhajn me porosi të ardhur nga Dubai.

Nga kqyrja e pamjeve filmike rezulton se autori i vrasjes së shtetasit Renato Hoxhaj, ka hyrë në Shqipëri nga Pika Kufitare e Kalimit Qafë-Botë në Sarandë, më datë 21 Prill 2025  në orën 17:44. Ai vihet re teksa futet në territorin tonë nga shteti grek në këmbë dhe më pas me të hyrë në Shqipëri merr një taksi.

Taksisti i cili u mor në pyetje nga autoritetet, tha se klienti i kishte folur në gjuhën greke duke i kërkuar që ta çonte në Vlorë.

“Gjatë bisedës që kanë bërë ai i ka thënë se është 53 vjeç me shtetësi rumune dhe se një nga prindërit e ka grek dhe jeton në Athinë”, thuhet në dosjen hetimore.

Më tej, pamjet filmike të ditës së vrasjes, tregojnë se si Daniel Cornea mëngjesin e datës 27 Prill ishte zgjuar herët dhe u pa të lëvizte fillimisht në zonën ku më pas do të qëllonte Renato Hoxhajn. Lëvizje në zonën e krimit, që dokumentohen fillimisht nga kamerat filmike, në orën 4.56 të mëngjesit.

Ecejake të cilat ai i kryen vazhdimisht deri në orën 6.15 minuta, momenti kur në horizont shfaqet viktima, të cilit i qepet nga pas deri në çastin kur e qëllon pas shpine. Edhe pse tregohet i kujdesshëm të mos lerë gjurmë, Daniel Cornea, pasi ka kryer vrasjen e Renato Hoxhaj, çuditërisht vazhdon të sillet si një turist në qytet.

Menjëherë pasi ka kryer krimin, ai vihet re nga kamerat të lëvizë për afro 20 minuta në këmbë duke bërë lëvizje të ndryshme sa në një rrugë në tjetrën. Dyshimet janë se Hoxhaj ishte informator i grupeve kriminale. Versus.al

Poll