
Hetimet për atentatin mafioz të kryer më 11 nëntor 2025 në Rinas, ku mbetën të vrarë Gilmando Dani dhe agjenti i AMP-së Mustafa, i njohur si Muçi Sheljani, kanë avancuar me shoqërimin e disa personave nga policia kriminale e Tiranës. Autoritetet dyshojnë se këta persona mund të kenë informacion lidhur me përdorimin e një makine tip “Toyota” me targa greke.
Gazetari Elton Qyno raporton se mes personave të shoqëruar është edhe Betimi …, i cili është kapur nga disa kamera.
Me qëllim gjetjen e automjetit, policia ka bllokuar shumë pamje filmike. Një nga këto kamera ka kapur Betimin duke u afruar tek një makinë tip “Toyota”, shumë e ngjashme me atë që u përdor në vrasjen e dyfishtë.
Pamjet filmike, të regjistruara disa ditë para atentatit, tregojnë se makina e dyshuar ka qenë në lëvizje mes zonës së Rinasit dhe Fushë-Krujës. Në një nga këto imazhe, Betimi shihet duke u afruar tek makina dhe duke i dorëzuar disa paketa cigare personave brenda saj. Ky filmim çoi policinë e Tiranës të shoqëronte dhe të merrte në pyetje Betimin.
Gjatë deklarimit, Betimi ka pohuar se nuk e kujtonte momentin, por pas njohjes me filmimin ka pranuar se i kishte dhënë paketa cigare personave brenda makinës “Toyota”, shumë të ngjashme me atë që u përdor në vrasje. Ai ka pretenduar gjithashtu se nuk ishte në gjendje të identifikonte personat brenda automjetit, edhe kur policia i ka treguar disa fotografi të dyshuarve të përfshirë në ngjarje.
Duke marrë parasysh këtë situatë, grupi hetimor ka vendosur të lirojë Betimin dhe po vazhdon me shoqërimin e personave të tjerë për të sqaruar rrethanat e atentatit./Versus.al

