
Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga vrasja e biznesmentit Edmond Mëhalla mbrëmjen e 30 Nëntorit në qytetin e Elbasanit. Sipas raportimeve në media, qitësi dyshohet të ketë qenë shtetas i huaj. Këto të dhëna janë bërë me dije nga burime pranë grupit të hetimit pas analizimit të të dhënave dhe provave të mbledhura deri tani. Ekzekutori ende nuk është identifikuar ndërsa pistat hetimore janë të hapura për autoritetet.
Një tjetër zhvillim në këtë ngjarje është arrestimi i Nevzat Spahos, i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e biznesmenit. 29-vjeçari, me origjinë nga Prrenjasi, ka të shkuar kriminale dhe rezulton i dënuar më parë për tentativë vrasjeje, armëmbajtje pa leje, shtrëngim me anë të kanosjes dhe vjedhje.
Burime nga hetimi thanë për Euronews Albania se gjatë marrjes në pyetje, Spaho ka mohuar të ketë dijeni për personin që kreu atentatin, por ka deklaruar se automjeti i përdorur në vrasje i është dorëzuar disa personave nga Lezha, nga ish-ortaku i viktimës, Xhino Aga.
Aga është arrestuar së bashku me rojen e karburantit ku ndodhi ekzekutimi, ndërsa në kërkim vijojnë të jenë Marselo Arani dhe Armando Kola, të dyshuar si bashkëautorë në ngjarjen e së dielës së kaluar.
