
Një 40-vjeçar, i cili shpalli veten Kryepeshkop të Athinës dhe të Gjithë Greqisë së Kalendaristëve të Vjetër, u arrestua në Rodos me 2 kilogramë kokainë. I arrestuari, i cili gjithashtu ka një kanal në YouTube ku prezanton receta dhe profile aktive në rrjetet sociale, ka punuar më parë edhe si model, një aktivitet që i kushtoi përjashtimin nga Kisha e Greqisë, megjithëse kishte arsim kishtar dhe ishte shuguruar dhjak.
Autoritetet greke të ELAS njoftuan se 40-vjeçari bënte pjesë në një organizatë kriminale që përdorte persona të tjerë për transportin e drogës. Arrestimi i tij ndodhi të premten, kur ai mori një valixhe të mbushur me kokainë, të cilën një grua e moshuar kishte pranuar ta transportonte duke besuar se nuk kishte asgjë të dyshimtë. Ai vetë kishte mbërritur në Rodos me aeroplan.
Dy krahët e organizatës kriminale
Operacioni i zhvilluar në Atikë dhe Rodos rezultoi me arrestimin e 8 personave, gjashtë prej të cilëve ishin pjesë aktive të bandës. Një tjetër anëtar ndodhet tashmë në paraburgim.
Sipas ELAS, banda kishte dy degë operacionale, secila me infrastrukturën e vet për prodhimin, magazinimin dhe shpërndarjen e drogës. Anëtarët kishin vendosur edhe një plantacion kanabisi në një zonë të Fthiotidës.
Dega e parë
Anëtari kryesor: Një 52-vjeçare vendase drejtonte degën e parë. Ajo ishte përgjegjëse për udhëzimin e anëtarëve, ruajtjen e drogës në kavatza, rekrutimin e anëtarëve të rinj dhe trafikun e paligjshëm të emigrantëve.
42-vjeçari bashkëpunonte ngushtë me 52-vjeçaren, duke ndihmuar në ruajtjen dhe shpërndarjen e drogës dhe udhëzimin e anëtarëve, si dhe duke lidhur dy krahët operativë të organizatës.
