AKTUALITET /

Zjarr brenda magazinës në Durrës, ndërron jetë i riu nga Bangladeshi, plagoset punëtori nga Kenia

Shkak për zjarrin dyshohet të jetë bërë shpërthimi i bombulës së gazit.

Shkruar nga Versus
Zjarr brenda magazinës në Durrës, ndërron jetë i riu
Foto nga vendngjarja

Durrës- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në zonën e Fllakës, ku një magazinë është përfshirë nga flakët duke shkaktuar humbjen e jetës së një punëtori të huaj dhe plagosjen e një tjetri.

Policia njofton se flakët përfshinë ambientin ku gatuhej për punonjësit e subjektit me administrator S.M. Shkak për zjarrin dyshohet të jetë bërë shpërthimi i bombulës së gazit.

Si pasojë, ka humbur jetën nga asfiksia punëtori O. M., rreth 25 vjeç, me origjinë nga Bangladeshi. Ndërkohë, një tjetër punonjës, Ch. Ch., rreth 30 vjeç, nga Kenia, është transportuar në spital, ku po merr ndihmë mjekësore.

Në vendngjarje mbërritën menjëherë shërbimet e Policisë dhe forcat zjarrfikëse, të cilat bënë të mundur izolimin dhe fikjen e flakëve.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, përcaktimin e shkakut të zjarrit dhe dokumentimin ligjor të rastit. Versus.al

Poll