Ministria e Mbrojtjes ka publikuar mbrëmjen e sotme një bilanc zyrtar lidhur me situatën e zjarreve që kanë përfshirë disa zona të vendit. Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, nga ora 09:00 deri në 20:30 të ditës së sotme janë raportuar gjithsej 14 vatra zjarri, nga të cilat 10 janë shuar, ndërsa katër mbeten ende aktive.
Zjarret kanë prekur zona të ndryshme të vendit, nga jugu në veri, shpesh në terrene të vështira dhe me pyje të dendur, duke vështirësuar ndërhyrjen e ekipeve të emergjencës. Pjesa më e madhe e vatrave janë vendosur nën kontroll, falë punës së palodhur të forcave zjarrfikëse, Forcave të Armatosura, bashkive përkatëse dhe dhjetëra vullnetarëve.
Ministria e Mbrojtjes, ka dalë me një bilanc lidhur me situatën e zjarrit në vend.
Nga këto vatra, është arritur fikja e dhjetë prej tyre, ndërsa katër të tjera mbeten ende aktive.
Vatrat aktive shënohen në Malin e Shedenikut në Vlorë, në landfillin e Elbasanit, në zonën malore mes fshatrave Gjinaj dhe Domaj të Kukësit, si dhe në fshatin Bulticë të Tiranës.
“Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në AKMC, nga ora 09:00, datë 04.07.2025, deri në orën 20:30, datë 04.07.2025, janë raportuar 14 vatra zjarri.
Nga këto janë shuar 10 vatra zjarri dhe janë aktive 4 vatra zjarri.
Pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale në terren u bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e vatrave në:
Fshatin Burrel, nj.adm. Komsi, bashkia Mat.
Fshatin Hajmel, nj.adm. Hajmel, bashkia Vau-Dejës.
Fshatin Perondi, nj.adm. Perondi, bashkia Kuçovë.
Lagja “Gur i Bardh”, nj.adm. Ura Vajgurore, bashkia Dimal.
Fshatin Draç, nj.adm. Ishëm, bashkia Durrës.
Fshati Draç, nj.adm. Ishëm, bashkia Durrës.
Fshati Rrashbull, nj.adm. Rrashbull, bashkia Durrës.
Fshati Katund i Vjetër, nj.adm. Rubik, bashkia Mirditë.
Fshati Fushë Prezë, nj.adm. Prezë, bashkia Vorë.
Fshati Zgërbonjë, njësia administrative Vërtop, bashkia Poliçan.
Aktualisht, janë aktive vatrat në:
Qarku Vlorë
Midis fshatit Grazhdan, njësia administrative Livadhja dhe fshatit Malçan, njësia administrative Dhivër, bashkia Finiq, zjarri i rënë më datë 01.07.2025 vazhdon të jetë aktiv në Malin e Shedenikut mbi fshatin Malçan, në një sipërfaqe me pyll pishe në një distancë shumë të largët dhe të pamundur për tu arritur në këmbë. Zjarri po monitorohet në distancë nga 1 mjet zjarrfikës me 3 efektivë dhe punonjës të Shërbimit Pyjor në fshatin Malçan. Nuk ka rrezik për zona të banuara.
Qarku Elbasan
Më datë 04.07.2025, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit në vendgrumbullimin e mbetjeve në bashkinë Elbasan. Nisur nga situata e krijuar, ku për shkak të punës me intensitet të lartë dhe orë të zgjatura që prej ditës së Martë, ka përmirësim të situatës në landfill.
Aktualisht në terren janë angazhuar këto forca dhe mjete:
4 mjete zjarrfikëse (1 mjet i MZSH Elbasan, 2 mjete të FA, 1 mjet i MZSH Tiranë, pritet edhe një mjet i MZSH Berat)
5 mjete të tonazhit të rënd të bashkisë Elbasan
2 kamiona vetëshkarkues të ushtrisë nga FA.
15 mjete të tonazhit të rend të subjekteve private (trailera)
5 fadroma të bashkisë Elbasan
1 fadromë e subjektit privat
1 fadromë e kompanisë së inceneratorit
1 traktor i Forcave të Armatosura.
1 ekskavator i kompanisë së inceneratorit
1 ekskavator i subjektit privat
1 pompë thithëse me kapacitet të lartë nga Forcat e Armatosura.
Qarku Kukës
Në zonën malore mes fshatrave Gjinaj dhe Domaj, njësia administrative Gjinaj, bashkia Has, vazhdon të jetë aktiv brenda perimetrit të tij zjarri i rënë në një sipërfaqe me pyll pishe. Në terren, janë angazhuar për shuarjen e tij:10 punonjës të Shërbimit Pyjor, 4 forca të Mzsh Has me 1 automjet, 4 forca policore, 2 forca bashkiake dhe 10 forca vullnetare. Forcat kanë punuar dhe kanë izoluar vatrën e zjarrit.
Qarku Tiranë
Në fshatin Bulticë, njësia administrative Vaqarr, bashkia Tiranë, vazhdon të jetë aktiv me intensitet të ulët zjarri i rënë në një sipërfaqe me shkurre e ferra. Në vendngjarjë ka operuar 1 helikopter Cougar paraditen dhe pasditen e sotme, i cili ka bërë të mundur izolimin e tij. Në zonën e zjarrit po punojnë 20 forca zjarrfikëse, si dhe 20 forca të APR-së së bashkisë Tiranë, të cilat vijojnë me mjete rrethanore dhe ato individuale për shuarjen përfundimtare të vatrave të zjarrit. Sipërfaqe e përshkuar është afërsisht 4 ha. Zjarri është izoluar plotësisht“, njofton Ministria e Mbrojtjes. /Versus.al







