AKTUALITET /

Zjarret në Drizë të Fierit vënë në rrezik banesat, evakuohen 6 familje. Balluku: Pritet ndërhyrja e helikopterit të dytë

Zjarrfikësit po punojnë intensivisht për izolimin dhe shuarjen e vatrës së zjarrit, por përhapja e tyre favorizohet nga era e fortë

Shkruar nga Versus

Zjarret në Drizë të Fierit vënë në rrezik banesat,

Në fshatin Drizë të Fierit, situata e krijuar nga zjarret është kritike. Forcat e armatosura kanë evakuuar 6 familje, ndërsa janë në monitorim dhe të tjerë banorë që mund të kenë nevojë për ndihmë.

Zjarri ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në bazën materiale të stacionit kryesor të furnizimit me ujë të qytetit të Fierit.

Sipas drejtorit të Shoqërisë Rajonale të Ujësjellës-Kanalizimeve Fier, Gentian Alikaj, flakët tashmë janë shuar, ndërsa ndërhyrja e parë për neutralizimin e tyre është bërë nga punonjësit e ujësjellësit.

“Dëme të shumta materiale. E gjithë baza materiale në linjat e furnizimit me ujë, mjetet motorike dhe transformatorët janë jashtë funksionit. Kemi marrë masat për ruajtjen e perimetrit të sigurisë, në mënyrë që të furnizohet pa ndërprerje qyteti i Fierit.

Kemi njoftuar zjarrfikësen. Duke qenë se kishte dëme në banesa, kryesisht ishte e udhës që zjarrfikësja të kishte nën mbikëqyrje jetët e njerëzve dhe banesat", tha drejtori i UKT Fier, Gentian Alikaj.

Ndërsa drejtuesja politike e PS për qarkun e Fierit, Belinda Balluku shkruan se zjarret po favorizohen nga erërat e forta, ndërsa pritet të angazhohet në ndihmë të zjarrfikësve edhe një helikopter i dytë i Forcave të Armatosura.

Postimi i Ballukut

Gjatë orëve të paradites, në fshatin #Drizë të Fierit ka rënë zjarr, i cili, i favorizuar nga era e fortë, është përhapur drejt zonave të tjera përreth.

Në terren ndodhen shërbimet e Policisë së Shtetit, me njësitë e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, patrulla të Rendit Publik dhe Policisë Rrugore, të cilat kanë evakuuar 6 familje nga banesat e tyre dhe po monitorojnë situatën për të garantuar sigurinë e banorëve.

Strukturat e Emergjencave Civile, në bashkëpunim me shërbimin zjarrfikës dhe institucionet e tjera përgjegjëse, po punojnë intensivisht për izolimin dhe shuarjen e vatrës së zjarrit, pavarësisht vështirësive të krijuara nga erërat e forta.

Në operacion është angazhuar edhe një helikopter i Forcave të Armatosura, ndërsa pritet që një helikopter i dytë t’i bashkohet ndërhyrjes në çdo moment./Versus.al

Poll