Pasditen e djeshme, një zjarr i cili u raportua të ketë ndodhur si pasojë e një shkëndije elektrike, shkrumboi një stallë bagëtish në fshatin Armen të Selenicës.
Për pasojë, u dogjën 16 lopë, 4 viça dhe 2 dele. Fermeri, Bardhosh Haxhiraj, rrëfeu momentet dramatike kur flakët përfshinë stallën. Me lot në sy ai tregoi sesi zjarri përfshiu tavanin dhe më pas u përhap në pjesën e poshtme ku ndodheshin bagëtitë.
Pavarësisht se tentoi të hynte brenda për të shpëtuar bagëtitë, fermeri e pati të pamundur pasi flakët dhe tymi nuk e lejuan.
Sipas tij, dëmi total që është shkaktuar nga zjarri arrin në rreth 100 mijë euro. Në vendngjarje kanë mbërritur autoritetet përkatëse, të cilat kanë bërë vlerësimin paraprak të dëmit, si dhe përfaqësues të Drejtorisë së Bujqësisë pranë qytetit të Vlorës. Versus.al

