Një 19-vjeçar ka plagosur me armë zjarri motrën e tij 25-vjeçare këtë të shtunë në Ferizaj, Kosovë.
Policia Rajonale e Ferizajt njofton se ngjarja ka ndodhur në rrugën "Mejdi Xhaferri", ku i riu ka qëlluar motrën e tij dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Pas një operacioni të shpejtë, ai është lokalizuar dhe arrestuar.
'Rreth orës 10:00, janë njoftuar për një plagosje me armë zjarri. Dyshohet se i dyshuari, E.M. (19 vjeç, mashkull), ka plagosur motrën e tij dhe është larguar nga vendi i krimit. "Pas një veprimi të shpejtë policor, i dyshuari është lokalizuar dhe arrestuar", thuhet në komunikatën e policisë.
Për fat të mirë, 25-vjeçarja ka shpëtuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë. Ajo ka marrë ndihmën e parë në Emergjencën e Ferizajt dhe është dërguar për trajtim të mëtejshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Në vendin e ngjarjes janë kryer të gjitha veprimet hetimore, dhe arma e zjarrit, e cila dyshohet të jetë përdorur gjatë incidentit, është sekuestruar nga autoritetet.
Motivi i plagosjes mbetet ende i paqartë, dhe lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit./Versus.al







