Hetimet mbi plagosjen e Fatos Cenajt, 59-vjeçarit shqiptar me banim në Itali dhe ish-polic i njohur në Shqipëri, po marrin një kthesë shqetësuese. Ngjarja ndodhi në mëngjesin e së dielës, më 8 qershor, në via Casoni Basse, në zonën rurale të Fontaniva-s, një mjedis i qetë por që duket se është shfrytëzuar në mënyrë strategjike nga autorët.
Fillimisht, u mor në shqyrtim varianti i një të shtënë aksidentale, e ndoshta e qëlluar nga ndonjë banor gjatë testimit të një arme gjahu. Por kjo pistë është tashmë hedhur poshtë nga hetuesit.
Tashmë, pista kryesore është ajo e një atentati të mirëorganizuar, me elementë që sugjerojnë një pritë të planifikuar. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se një automjet është afruar nga pas, teksa Cenaj po udhëtonte me biçikletë drejt fermës ku punonte, rreth dy kilometra nga banesa e tij. Nga brenda automjetit, një person – ndoshta një vrasës me pagesë – mund ta ketë qëlluar nga afër, përpara se të largohej pa lënë gjurmë.
Plaga në zonën e veshit është përshkruar si shumë e vogël dhe e vështirë për t’u dalluar, çka sugjeron përdorim të një arme me precizion dhe ndoshta të pajisur me silenciator.
Autoritetet italiane po vijojnë hetimet me intensitet të lartë, ndërsa elementë të jetës së kaluar profesionale të Cenajt, përfshirë periudhën si oficer policie në Shqipëri, mund të jenë pjesë e analizës së motivit të mundshëm. /Versus.al/







