
Nëse kryeministri Benjamin Netanyahu “vendos të heq dorë nga synimi për të shpërbërë Hamasin,” qeveria e tij “nuk do të ketë të drejtë të ekzistojë,” deklaron Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir.
Izraeli ka nisur një fushatë të re të sulmeve në Gaza, ku gjatë 24 orëve të fundit kanë humbur jetën mbi 100 persona.
“Përsëri, Hamas vret një ushtar gjatë ‘armëpushimit’ dhe përsëri kryeministri zgjedh të përfundojë incidentin me konceptin e një ‘përgjigjeje të matur’ dhe kthimin e menjëhershëm tek armëpushimi, ndërkohë që vazhdon të sjellë ndihma ‘humanitare’ - në vend që të kthehet në luftë të plotë dhe të përpiqet shpejt të arrijë qëllimin kryesor - shkatërrimin e Hamasit”, thotë ministri i ekstremit të djathtë.
“I rikujtoj kryeministrit përkushtimin e tij për të arritur të gjitha qëllimet e luftës. Nëse ai vendos të heqë dorë nga synimi për të shpërbërë Hamasin dhe kënaqet vetëm me fjalë të bukura për ‘fitore’ dhe shpërbërje në emër, ndërkohë që vazhdon të ruajë politikën [para 7 tetorit] dhe praktikisht mban gjallë Hamasin - qeveria nuk do të ketë të drejtë të ekzistojë”, thekson ai.
Kjo është hera e dytë që Ben Gvir bën këtë kërkesë brenda dy ditëve. Si Ben Gvir, ashtu edhe Ministri i Financave, Bezalel Smotrich, të martën i kërkuan Netanyahut të veprojë për të siguruar shkatërrimin e Hamasit për shkak të dështimit për të dorëzuar 13 trupat e mbetur të të rrëmbyerve dhe sulmet e përsëritura vdekjeprurëse ndaj ushtarëve të IDF në Gaza.
Ben Gvir njoftoi së fundmi se i kishte dhënë Netanyahut një afat për të shpërbërë Hamasin ose do të largohej nga koalicioni, por refuzoi të deklaronte publikisht një afat specifik. Versus.al
