Një tjetër episod i tmerrshëm dhune ka tronditur shtetin e Sinaloas në Meksikë, ku autoritetet zbuluan katër trupa të varur nga një urë në hyrje të qytetit, me kokat e tyre të vendosura në një qese plastike aty pranë. Në të njëjtën autostradë, vetëm pak kilometra më tej, policia hasi në një furgon me trupat e 16 burrave të tjerë, të gjithë të qëlluar me armë zjarri, një prej të cilëve i gjymtuar pa kokë. Skena brutale pasqyron thellimin e një lufte të përgjakshme mes fraksioneve rivale të Kartelit të Sinaloas, luftë që ka rikthyer nivele tronditëse të terrorit në këtë pjesë të Meksikës.
Pranë viktimave u gjet edhe një mesazh kërcënues, pjesërisht i pakuptueshëm, që mbante një paralajmërim të zymtë: “Mirë se vini në Sinaloan e re.” Sipas autoriteteve lokale, masakra lidhet drejtpërdrejt me konfliktin e armatosur mes dy grupimeve të fuqishme brenda vetë Kartelit të Sinaloas: fraksioni “Los Chapitos”, i drejtuar nga djemtë e Joaquín “El Chapo” Guzmán, dhe grupi rival i njohur si “La Mayiza”. Që nga shtatori i vitit të kaluar, ky konflikt është përshkallëzuar ndjeshëm, pas rrëmbimit dhe dorëzimit te autoritetet amerikane të një udhëheqësi të La Mayizës nga një prej djemve të El Chapos.
Qyteti është kthyer në një zonë lufte. Banorët jetojnë nën një regjim frike të përhershme: kufoma shfaqen pothuajse çdo ditë, shkollat mbyllen pa paralajmërim, bizneset ndalojnë punën, dhe rrugët kontrollohen nga grupe të rinjsh të armatosur e të maskuar që patrullojnë me motoçikleta. Dhuna është bërë aq e pranishme, sa për shumë njerëz, frika është bërë pjesë e përditshmërisë.
Në përpjekje për të marrë kontrollin e situatës dhe për të mbijetuar përballë sulmeve të vazhdueshme të rivalëve, fraksioni i Los Chapitos ka ndërmarrë një lëvizje të papritur: janë bashkuar me armikun e tyre të dikurshëm, Kartelin e Jalisco Nueva Generación (CJNG), një prej organizatave më të dhunshme dhe më të fuqishme kriminale në Meksikë. Në këmbim të furnizimeve me armë dhe para, Chapitos i kanë dorëzuar CJNG-së territore strategjike në veri të vendit. Një anëtar i lartë i Kartelit të Sinaloas ka deklaruar në kushte anonimiteti se “Los Chapitos po mbyteshin, nuk e përballonin më presionin. Lufta djeg miliona çdo ditë.”
Kjo aleancë e re, e pamendueshme vetëm pak muaj më parë, ka ngritur alarmin në qarqet ndërkombëtare të sigurisë. Sipas analistes Vanda Felbab-Brown nga Brookings Institution, bashkimi i fraksioneve të dikurshme armiqësore është një precedent që mund të trazojë thellësisht zinxhirët globalë të trafikut të drogës. “Është njësoj sikur bregu lindor i SHBA-së të shkëputej gjatë Luftës së Ftohtë dhe të bashkohej me Bashkimin Sovjetik,” tha ajo për median amerikane.
Ndërkohë, autoritetet lokale pranojnë me vështirësi se kanë humbur kontrollin e territorit. Përpjekjet e ushtrisë dhe policisë për të rivendosur rendin janë të kufizuara dhe shpesh joefektive përballë fuqisë, burimeve dhe brutalitetit të kartelit. Sinaloa, dikur simbol i strukturës më të sofistikuar të trafikut të drogës në botë, po kthehet sot në një territor të zhytur në kaos, ku jeta njerëzore ka humbur çdo vlerë dhe lufta për pushtet ka thyer çdo kufi. /Versus.al







