
Një valë sulmesh me dronë dhe raketa nga Irani ka përfshirë gjatë natës disa vende të Lindjes së Mesme, duke rritur ndjeshëm tensionet në rajon dhe duke thelluar përplasjen ushtarake me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.
Sipas raportimeve zyrtare, sulmet kanë shënjestruar disa qytete dhe instalime strategjike në vendet e Gjirit Persik, përfshirë Dubain dhe Abu Dhabin në Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe zona në Arabinë Saudite dhe Kuvajt.
Autoritetet në Bahrein bënë të ditur se një sulm ajror goditi një hotel dhe dy apartamente në kryeqytetin Manama. Ministria e Brendshme konfirmoi se nuk pati viktima, por u regjistruan dëme materiale dhe një zjarr që më pas u vu nën kontroll nga shërbimet e emergjencës.
Tensionet u shtrinë edhe në Katar, ku një dron iranian u drejtua drejt bazës ajrore Al Udeid, instalimi më i madh ushtarak amerikan në Lindjen e Mesme. Ministria e Mbrojtjes e Katarit njoftoi se sulmi u neutralizua dhe nuk pati dëme apo të lënduar.
Ndërkohë në Arabinë Saudite, forcat e armatosura deklaruan se kanë kapur dhe shkatërruar tre raketa që po drejtoheshin drejt bazës ajrore Prince Sultan, ku janë të stacionuara edhe trupa amerikane.
Si kundërpërgjigje ndaj sulmeve, ushtria amerikane ka ndërmarrë operacione kundër flotës iraniane. Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se forcat amerikane kanë goditur një transportues dronësh iranian, një anije e përshkruar me përmasa të ngjashme me transportuesit e avionëve të Luftës së Dytë Botërore.
Sipas deklaratës së komandës amerikane, anija është përfshirë nga flakët, ndërsa operacionet ushtarake pritet të vazhdojnë. “Forcat amerikane nuk do të hezitojnë të përfundojnë misionin e fundosjes së të gjithë marinës iraniane”, thuhet në deklaratë.
Në të njëjtën kohë, ushtria izraelite njoftoi se ka nisur një seri sulmesh të reja ajrore në shkallë të gjerë ndaj infrastrukturës së regjimit iranian në Teheran. Media shtetërore iraniane raportoi për shpërthime në disa zona të kryeqytetit, si në lindje ashtu edhe në perëndim të qytetit.
Situata u tensionua edhe në veri të Izraelit, ku sirenat e alarmit u dëgjuan në disa komunitete pas një sulmi me raketa dhe artileri nga Hezbollah, lëvizja shiite libaneze e afërt me Iranin.
Grupi paralajmëroi gjithashtu banorët e qyteteve izraelite pranë kufirit që të evakuonin menjëherë zonat deri në pesë kilometra larg vijës kufitare.
Në përgjigje, avionët luftarakë izraelitë bombarduan gjatë natës disa zona në jug të Libanit, përfshirë komunitetet Shrifa, Aita al-Shaab, Tulin, Al-Shawana dhe Majdal Selm, si dhe fshatin Dursh në rajonin Baalbek. Deri tani nuk janë raportuar viktima.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump lëshoi një paralajmërim të ashpër ndaj forcave iraniane gjatë një deklarate në Shtëpinë e Bardhë. Ai u bëri thirrje anëtarëve të Gardës Revolucionare, ushtrisë dhe policisë iraniane që të dorëzonin armët dhe të dezertonin.
“Pranoni imunitetin, ne do t’ju japim imunitet të plotë dhe do të jeni të sigurt. Ose do të përballeni me vdekje të sigurt. Unë nuk dua ta shoh këtë”, deklaroi Trump.
Ai shtoi gjithashtu se, sipas tij, Irani ka kërkuar të hapë negociata me Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund operacioneve ushtarake, por theksoi se mundësia për një marrëveshje mund të ketë ardhur shumë vonë.
“Na telefonojnë dhe pyesin si mund të bëjmë një marrëveshje. Unë u thashë: jeni pak vonë. Tani ne duam të luftojmë më shumë sesa ata”, u shpreh presidenti amerikan./Versus.al

