Çfarë do të gjeni në brendësi
*Në media ka shpërthyer së fundmi ajo që konsiderohet si afera e radhës e lidhur me anëtarët e grupit kriminal të AKSHI-t të hetuar nga SPAK-u. pas denoncimit të bërë nga ish-zv.kryeministri në arrati, Arben Ahmetaj i cili tregoi sesi parku ka mbetur vetëm në letër dhe në Xhafzotaj nuk ka asnjë ndërtesë, ka reaguar edhe administratorja Florenca Haxhi. *Ajo thotë se nuk është domosdoshmëri që parku të jetë fizik, pavarësisht se në VKM ishte përcaktuar qartë sipërfaqja e madhe e tokës në Xhafzotaj ku supozohej të ndërtohej ky park. Duke u mbështetur në disa VKM ajo e cilëson parkun si projekt hibrid, pra fillimisht virtual dhe më pas fizik. Por me një vëzhgim në VKM bie në sy fakti se aty në asnjë paragraf nuk ka të përcaktuar fjalën “park virtual” apo “park hibrid”. *Gjithashtu, një auditim i thelluar i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) në muajin prill 2025 ka zbuluar një sërë shkeljesh, mospërputhjesh dhe dështimesh menaxheriale në Korporatën e Investimeve Shqiptare (AIC), e cila ka qenë përgjegjëse për zbatimin e disa projekteve strategjike, përfshirë projektin “Durana Park”, që synonte zhvillimin e zonës midis Tiranës dhe Durrësit si një nyje ekonomike e re kombëtare. *Nga auditimi del se Këshilli Mbikëqyrës ka funksionuar për disa vite pa kryetar dhe me anëtarë që nuk kanë dorëzuar dokumentet e kualifikimit. *Ndërkohë personazhet kryesore të dosjes AKSHI, të cilët deri më tani kanë përfituar fonde publike përmes paracaktimit të fituesve dhe fryrjes së kostove në tendera, ishin përgatitur që nga 1 janari 2026 të mos paguanin asnjë lek taksa për qindra miliona euro që vijonin të merrnin nga buxheti i shtetit. Skema e ndërtuar për këtë qëllim parashikonte kalimin formal të aktivitetit drejt Durana Tech Park, përmes krijimit të kompanive të reja me emra të ndryshëm, por me të njëjtët pronarë dhe administratorë që qëndrojnë pas subjekteve të përfshira në dosjen e AKSHI-t.
Afera Durana/ Administratorja flet për park hibrid, por VKM përcaktonte vendndodhjen! Në prill u dhanë certifikatat për rezidentët
Pas detajeve të publikuara në media lidhur me “Durana Tech Park” që supozohej të ishte parku i parë teknologjik e shkencor në Shqipëri, drejtoresha Florenca Haxhi ka publikuar një video në rrjetet sociale me qëllim sqarimin e çdo paqartësie lidhur me mënyrën e operimit të parkut i cili ka mbetur thjesht në letër pasi në vendndodhjen e përcaktuar nuk ka asgjë të ndërtuar.
Haxhi shprehet se ‘Durana Tech Park’ vepron në bazë të VKM-ve të qeverisë përkatësisht nr.185 dhe 73 gjatë vitit 2024 dhe 2025.
“Durana operon bazuar në ligjin 58 të vitit 2022 si dhe në bazë të disa VKM-ve që kanë dalë gjatë vitit 2024 dhe 2025. Dy VKM-të më të rëndësishme janë VKM 185 që përcakton listën e aktiviteteve të lejuara në park si dhe VKM 73 e cila përcakton mënyrën e operimit në park”- thotë ajo.
Ndërsa më tej e bën fakt të kryer se që prej fillimit është zgjedhur një mënyrë hibride e operimit dhe aktualisht veprohet 100% virtualisht, ndërsa më pas do të ketë edhe hapësirë fizike.
“Mënyra e operimit është e tillë që në fillim parku operon 100% virtualisht dhe më pas pas ndërtimit të parkut fizik do operojë në mënyrë hibride. Kjo mënyrë e operimit është bazuar në shumë modele të tjera që ekzistojnë në botë dhe siguron që investimi i kryer nga qeveria për parkun të jetë në koherencë të plotë me kërkesat dhe nevojat që kanë rezidentët e parkut për hapësirat fizike në park”- shtoi Haxhi.
Ajo çfarë është shqetësuese në këtë skemë që së fundmi po konsiderohet si ‘parajsë fiskale’ për dhjetëra kompani që të mos paguajnë taksa, mes të cilave edhe ato të biznesmenit të shpallur në kërkim Ermal Beqiraj, është fakti se në VKM nr.185 në asnjë paragraf nuk përmendet se ky park do të operonte virtualisht. Përkundrazi, në vendimin e firmosur në datë 24.3.2024 theksohet qartë vendndodhja dhe sipërfaqja e parkut.
Më 2 prill 2025, kryeministri Edi Rama dha certifikatat për rezidentët e parë të këtij parku të cilët vetëm të tillë nuk janë pasi nuk ka asnjë ndërtesë fizike ku ata të mund të jenë rezidentë përveçse një trualli bosh në Xhafzotaj. Versus.al
Durana Tech Park e mbetur në letër, “parajsë fiskale”? Administratorja: S’është e nevojshme të kemi zyra fizike
Projekti “Durana Tech Park” është një ndër çështjet e kthyera në qendër të diskutimeve pas denoncimit të bërë nga ish-zv.kryeministri në arrati, Arben Ahmetaj i cili tregoi sesi parku teknologjik ka mbetur vetëm në letër dhe se në terren nuk ka asnjë ndërtesë.
Ky projekt rezulton të jetë vetëm “virtualitet” që ju ka mundësuar rreth 50 kompanive të lidhura me AKSHI-n që të përfitojnë heqjen e taksave duke u shndërruar kështu në një parajsë fiskale. Pavarësisht se u pretendua se këto kompani do të sillnin risi në fushën e teknologjisë dhe informacionit duke punësuar mijëra të rinj, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, të paktën deri më tani.
Korporata e Investimeve Shqiptare rezulton të jetë pronare e “Durana Tech Park”. Pronare është Elira Kokona, person i afërt me qeverinë e kryeministrit Edi Rama pasi ka mbajtur më herët disa pozicione drejtuese. Ndërsa së fundmi, Florenca Haxhi njëra prej administratorëve të ‘Durana Tech Park’ ka folur për A2 ku iu përgjigj akuzave për projektin dhe favorizimit që supozohet se u është bërë një pjese të kompanive të përfshira në këtë projekt përmes Këshillit Shqiptar për Teknologjinë dhe Inovacionin që drejtohet nga biznesmeni i shpallur në kërkim nga SPAK, Ermal Beqiraj.
Duke i mohuar akuzat e bëra nga Ahmetaj në një intervistë televizive, Haxhi tha se Durana Tech Park është një projekt i bazuar në ligj për parqet teknologjike dhe VKM të cilat sipas saj lejojnë funksionimin fillestar në një formë virtuale të këtij parku dhe më pas kalimin në fazën fizike. Sipas saj parku tani është në fazën virtuale, ndërsa ndërtimi fizik do të kryhet brenda afatit 36 mujor të parashikuar nga ligji.
“Disa prej akuzave i kam ndjekur disa jo, janë disa lajme që kanë dalë, që për mendimin tim janë të pavërteta. Mjafton që të lexohet VKM dhe ligjet dhe gjithçka është e qartë. VKM 73 që ka dalë në Janar 2025, sqaron operimin e parkut në të dyja fazat e tij, në atë fizike dhe në atë hibride. Parku nuk ka nevojë që të ndërtohet, pasi ne shohim nëse ka një numër kompanish që shprehin interes, dhe më pas do të bëhet ndërtimi fizik. Durana Tech Park nuk ka lidhje me një individ të caktuar, qeveria vetë pa që ne jemi i vetmi vend në rajon që nuk kishin një park. Ligji për parqet teknologjike ka dalë në vitin 2022. Serbia ka disa parqe, jodomosdoshmërisht parqe virtuale. Parku ka hapur thirrjen në pranverën e vitit 2025 dhe kontrata e parë është lidhur në qershor 2025. Deri më sot janë 78 kompani të regjistruara ose në fazë përfundimtare regjistrimi, shumë më tepër se pritshmëria fillestare prej 11 kompanish në vitin e parë,” deklaroi Haxhi.
Ajo hodhi poshtë akuzat për “parajsë fiskale” duke thënë se modele të ngjashme janë edhe në disa vende të BE-së. më tej argumentoi se lehtësitë fiskale janë një prej instrumenteve për të tërhequr kompani ndërkombëtare.
“Përfitimi kryesor për Shqipërinë është punësimi i të rinjve dhe krijimi i aktiviteteve të reja ekonomike. Shteti heq dorë nga disa taksa sot, por fiton shumë më tepër nesër,” shtoi ajo.
Për këtë projekt ka folur më herët edhe kryeministri Edi Rama i cili 10 muaj më parë më 2 prill të vitit 2025 deklaronte se ky park do të ishte epiqendra e zhvillimit teknologjik.
“Durana Tech Park është destinacion i krijuar për talente shqiptare dhe të rinjtë shqiptarë duke ju hapur një perspektiv inkurajuese për të realizuar Durana Tech Park kemi bërë një analizë shumë të gjatë, kemi shqyrtuar me kujdes legjislacionin evropian, kemi parë si kanë funksionuar në vende të tjera dhe besoj se kemi krijuar një kornizë unikale duke marrë më të mirën nga të tjerët. Sot ky park çon para një revolucion digjital që do të vazhdoj, së shpejti do të prezantojmë dhe modelin tjetër të AI në shërbimet publike. Ajo që është një surprizë e bukur për në është ai që na bën përshtypje që është se ka interes në institucione publike ka interes nga universitete italiane por edhe të tjera”- deklaronte Rama. Versus.al
Si ishin përgatitur aktorët e dosjes AKSHI për të mos paguar kokërr leku taksa përmes “Durana Tech Park”

Të gjithë personazhet kryesore të dosjes AKSHI, të cilët deri më tani kanë përfituar fonde publike përmes paracaktimit të fituesve dhe fryrjes së kostove në tendera, ishin përgatitur që nga 1 janari 2026 të mos paguanin asnjë lek taksa për qindra miliona euro që vijonin të merrnin nga buxheti i shtetit.
Skema e ndërtuar për këtë qëllim parashikonte kalimin formal të aktivitetit drejt Durana Tech Park, përmes krijimit të kompanive të reja me emra të ndryshëm, por me të njëjtët pronarë dhe administratorë që qëndrojnë pas subjekteve të përfshira në dosjen e AKSHI-t.
Skema lidhet drejtpërdrejt me ndryshimet fiskale që hynë në fuqi nga viti 2026. Pas presionit ndërkombëtar, qeveria u detyrua të hiqte privilegjin e tatim-fitimit 5 për qind për kompanitë e teknologjisë së informacionit, duke rikthyer normën standarde.
Në këtë fazë, për të shmangur pagesën e taksave, u aktivizua mekanizmi i parqeve teknologjike, i parashikuar në ligjin e vitit 2022, i cili garanton përjashtime totale nga tatim-fitimi, TVSH-ja dhe taksat mbi pagat për një periudhë 10–15 vjeçare.
Ligji ndalon transferimin e një veprimtarie ekzistuese në park vetëm për përfitim fiskal. Por, sipas verifikimeve, kjo pengesë u anashkalua përmes regjistrimit të subjekteve të reja, ndërsa aktiviteti real, personat kyç dhe interesat ekonomike mbetën të pandryshuara.
Nga analiza e listës së kompanive të regjistruara në Durana Tech Park rezulton se disa prej tyre lidhen drejtpërdrejt ose indirekt me emra të hetuar nga SPAK në dosjen AKSHI.
Në disa raste, pronarë ose administratorë të kompanive të reja rezultojnë të jenë të njëjtët persona që drejtojnë ose përfaqësojnë subjektet në qendër të hetimeve për tenderat e AKSHI-t.
Të njëjtët emra me kompani të ndryshme
Në listën e plotë të subjekteve të regjistruara në Durana Tech Park rezulton se një pjesë e konsiderueshme e tyre lidhen drejtpërdrejt ose indirekt me Ergys Agasin, Ermal Beqirin dhe rrethin e tyre të afërt.
Sipas verifikimeve të redaksisë, në disa raste lidhjet janë të dokumentuara përmes personave që shfaqen si pronarë ose administratorë në kompani të reja, por që paralelisht mbajnë role kyçe në subjekte të përfshira në dosjen AKSHI.
Një nga rastet është kompania KronoTech, e regjistruar në Durana Tech Park, e cila në dokumente rezulton me pronare Arjola Koromanin. E njëjta është administratore edhe e kompanisë Soft & Solution, subjekt i cili ndodhet në qendër të hetimeve për tenderët e AKSHI-t.
Në një tjetër rast, kompania Test & Tech figuron me pronar Ergys Agasin dhe me administratore Ina Cikon.
Ina Ciko është njëkohësisht administratore edhe e kompanisë EA Solution, në pronësi të Agasit, e përfshirë gjithashtu në dosjen e AKSHI-t.
Ciko ka lidhje familjare me Elon Cikon, pjesë e rrethit të afërt të Ergys Agasit dhe administrator i kompanisë EA Logistic.
Ndërkohë, Gëzim Hoxha, ndaj të cilit SPAK ka vendosur masë sigurie në kuadër të hetimeve për skandalin AKSHI dhe që dyshohet si pjesë e skemës së tenderëve, ka regjistruar në Durana Tech Park dy kompani, CyberMind dhe Box Artificial Logic.
Nga ana tjetër, vetë Ermal Beqiri ka regjistruar po ashtu kompaninë Data Storm në Durana Tech Park.
Të gjitha këto subjekte janë regjistruar gjatë muajve të fundit të vitit 2025, në një periudhë kur grupi i përfshirë po përgatitej të kalonte aktivitetin drejt Durana Tech Park, me të njëjtët aktorë, por përmes kompanive të reja, për shkak se ligji ndalon transferimin formal të një veprimtarie ekzistuese.
Një burim i tha redaksisë se SPAK duhet të verifikojë nëse këto kompani kanë ushtruar aktivitet tregtar real gjatë kësaj periudhe dhe të analizojë marrëveshjet e lidhura mes tyre dhe Durana Tech Park, për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një skemë të mirëorganizuar shmangieje taksash.

“Nëse provohet se ka pasur aktivitet tregtar të subjekteve të lidhura me emrat e dosjes AKSHI, por të regjistruara me kompani të reja dhe me të njëjtët aksionerë, atëherë çështja bëhet shumë serioze për Durana Tech Park, pasi kemi shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit dhe kjo duhet të verifikohet nga SPAK”, u shpreh një burim për Skyweb.al.
Plani i mirëmenduar i grupit në fjalë u prish nga hetimet për dosjen AKSHI. SPAK ka shtrirë hetimet e dosjes AKSHI dhe te Durana Tech Park pikërisht prej këtyre kompanive. /Skyweb.al
Durana Park, livadhi fiskal i privilegjuar ku Elira Kokona projektoi parajsën e biznesit dhe ia rriti vetes pagën me 35% në një korporatë me humbje kronike
Një auditim i thelluar i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) në muaj prill 2025 ka zbuluar një sërë shkeljesh, mospërputhjesh dhe dështimesh menaxheriale në Korporatën e Investimeve Shqiptare (AIC), e cila ka qenë përgjegjëse për zbatimin e disa projekteve strategjike, përfshirë projektin “Durana Park”, që synonte zhvillimin e zonës midis Tiranës dhe Durrësit si një nyje ekonomike e re kombëtare.
Sipas raportit zyrtar, KLSH ka dhënë një opinion të kualifikuar, duke vlerësuar se shkeljet në AIC janë “materiale, por jo të përhapura”.
Megjithatë, gjetjet tregojnë një tablo alarmante për mënyrën si janë planifikuar dhe menaxhuar fondet publike.
Planifikim pa strategji, buxhet pa llogari
Auditimi zbulon se planifikimi buxhetor i AIC-së është kryer në mënyrë të pamjaftueshme, pa analizë të argumentuar dhe me mospërputhje të thella mes parashikimeve dhe realizimeve faktike.
Këto devijime sipas raportit kanë ndikuar drejtpërdrejt në dobësimin e performancës ekonomiko-financiare së korporatës.
Në thelb, AIC nuk ka zbatuar asnjë manual, metodologji apo udhëzues standard për hartimin dhe seleksionimin e projekteve investuese, duke e kthyer procesin në një praktikë të paformalizuar e subjektive, pa garanci ligjore apo ekonomike.
Projekte të ndërprera dhe analiza të munguara për “Durana Park”
Një ndër gjetjet më të rënda lidhet me ndërprerjen e projekt-propozimeve, përfshirë ato për “Durana Park”-un dhe projektet në fushën e energjisë dhe zhvillimit të zonave prioritare.
Sipas KLSH, edhe pse AIC kishte kontraktuar ekspertë të jashtëm për studimet e parafizibilitetit, procesi u ndërpre pa vlerësim të arsyeshëm dhe pa analizë ekonomike.
Raporti thekson mungesën e çdo dokumenti strategjik që të përcaktojë arsyet e përzgjedhjes së pronave shtetërore për zhvillim, analizën e përfitueshmërisë apo vlerës së shtuar të investimit.
“Durana Park”, që u prezantua si një model i zhvillimit të qëndrueshëm dhe tërheqjes së kapitalit privat, nuk ka pasur asnjë analizë të qartë mbi risqet, kostot financiare dhe treguesit e rentabilitetit.
Huaja prej 2 miliardë lekësh: një vendim që ngre pikëpyetje
Një tjetër çështje e ndjeshme ka të bëjë me miratimin e huasë prej 2 miliardë lekësh që AIC i dha një tjetër shoqërie shtetërore, “A. SHA”, për mbulimin e mungesës së likuiditetit.
KLSH konstaton se pas mbarimit të afatit 1-vjeçar, kjo hua nuk është shlyer, por është shtyrë me kërkesë të vetë debitorit, duke ekspozuar Korporatën ndaj rreziqeve të thella financiare dhe ligjore.
Dokumente të dyfishta dhe dorëzime të vonuara
Një tjetër gjetje e rëndësishme është se AIC ka dorëzuar pasqyrat financiare dhe deklaratat tatimore në dy versione të ndryshme për vitet 2020-2023, duke tejkaluar afatet ligjore dhe duke u ekspozuar ndaj penaliteteve. Për më tepër, nuk janë përcaktuar qartë përgjegjësitë midis drejtorit ekzekutiv dhe atij të financës.
KLSH vëren gjithashtu vonesa në dorëzimin e deklaratave vetëvlerësuese, mungesë manualesh dhe strategjish risku, si dhe dokumentacion të paplotë të sistemit të kontrollit të brendshëm.
Struktura drejtuese e cunguar dhe rekrutime pa procedura
Nga auditimi del se Këshilli Mbikëqyrës ka funksionuar për disa vite pa kryetar dhe me anëtarë që nuk kanë dorëzuar dokumentet e kualifikimit.
Po ashtu, shpërblimet për anëtarët “jo ndërkombëtarë” janë bërë në mungesë të kritereve të qarta.
Në proceset e rekrutimit të AIC-së, 4 nga 6 rastet e verifikuara nuk kanë dokumentacion të plotë mbi procedurat e ndjekura, duke treguar shkelje flagrante të rregullores së brendshme.
Rroga e Kokonës rritet, “Durana” mbetet livadh
Ndërsa projekti “Durana Tech Park” vazhdon të ekzistojë vetëm në letër dhe në prezantime 3D, pa asnjë ndërtim real në terren pavarësisht regjistrimit të dhjetëra kompanive me status preferencial dhe lehtësira fiskale, vendimet e marra në dhjetor 2023 kanë prodhuar një efekt shumë konkret: rritje të ndjeshme pagash për drejtuesit e Korporatës së Investimeve Shqiptare.
Elira Kokona, drejtuese e AIC-së, i ka rritur vetes pagën me rreth 35%, duke çuar shpërblimin mujor të pozicionit të Drejtorit Ekzekutiv nga intervali 340–400 mijë lekë në intervalin e ri 400–540 mijë lekë bruto. Në të njëjtin vendim, janë rritur me 6–13% edhe rrogat e drejtuesve të tjerë si Drejtori i Kabinetit, drejtues divizionesh dhe këshilltarë, ndërkohë që, paradoksalisht, janë ulur pagat për specialistët e thjeshtë të institucionit.
Kjo skemë pagash vjen në një kohë kur, sipas auditimit të KLSH-së, Korporata e Investimeve Shqiptare ka dalë me humbje çdo vit që prej krijimit në fund të vitit 2019, duke konsumuar fonde publike pa gjeneruar të ardhura reale dhe pa finalizuar projekte të mëdha si “Durana Park”.
Kontrasti mes performancës së dobët ekonomike dhe rritjes agresive të përfitimeve të kupolës drejtuese ngre dyshime serioze mbi mënyrën si trajtohet pasuria publike dhe përgjegjshmëria menaxheriale në këtë institucion./Versus.al

