Mbrëmjen e djeshme, disa banorë të rinj iu bashkuan shtëpisë së Big Brother VIP. Mes tyre ishte edhe Juela Nikolla, këngëtarja me një histori personale që lë gjurmë.
E lindur në Laç dhe e rritur në Milano, Juela ka ardhur nga një familje shqiptare që ka ruajtur me fanatizëm kulturën, traditat dhe lidhjen me rrënjët. Fëmijëria e saj ka qenë e mbushur me dashuri, mes tre motrave, por edhe me disiplinë. Mbas studimeve të larta për Ekonomi Europiane, nisi projektet e saj muzikore.
Është rritur me rrymën pop, por me kohën filloi të kërkonte tinguj të tjerë, më ballkanikë, pak më orientalë, pak dark pop, ballads, që e përfaqësojnë më shumë.
Disa vite më parë ajo përjetoi një fatkeqësi pasi humbi njeriun me të cilin po përgatitej të martohej. Ai u vra atë vit në oborrin e shtëpisë bashkë me motrën e tij, nga ish-bashkëshorti i kësaj të fundit.
Për këtë tragjedi ajo thotë se: “Kam kaluar shumë dhimbje dhe ankth, në fillim mendoja që dhimbja do të kishte qenë e papërballueshme, por me kohën kuptova se jeta ndryshon nga mënyra si zgjedhim ta përballojmë. Punova shumë me veten, dhe ajo dashuri e bukur që më kishte lënë ai u bë dritë në momentet më të errëta dhe më tregoi se unë mund të ngrihem përsëri, u bë forca që me ngriti.
Kjo periudhë më ka bërë më të fortë, më të vetëdijshme për atë që dua dhe më mësoi të gjej dritë edhe kur mendoja se nuk kishte më, dhe mund të them me plot bindje qe unë ia dola dhe kam akoma shumë për te ndërtuar, siç dhe ai ka besuar gjithmonë te unë.”
Juela tha se nga Big Brother pret një eksperiencë që mund t’i hapë një tjetër kapitull. Versus.al

