MAGAZINË /

"Çmendet" Madridi, Spanja 'gjunjëzon' Francën, bëhet finalistja e parë e Botërorit 2026

Skuadra e Luis de la Fuente mori kontrollin e lojës që në minutat e para, duke qarkulluar topin me qetësi dhe duke mos i lënë hapësira Francës.

Shkruar nga Versus

"Çmendet" Madridi, Spanja 'gjunjëzon'

Spanja është finalistja e parë e Kupës së Botës, pasi triumfoi 2-0 ndaj Francës në gjysmëfinale. "La Roja" zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer dhe dominoi përballë "Les Bleus", të cilët u larguan nga gara pas një paraqitjeje zhgënjyese, pa arritur të krijojnë rrezik real në portën kundërshtare.

Skuadra e Luis de la Fuente mori kontrollin e lojës që në minutat e para, duke qarkulluar topin me qetësi dhe duke mos i lënë hapësira Francës. Epërsia erdhi në minutën e 22-të, kur Lamine Yamal fitoi një penallti pas një ndërhyrjeje të gabuar nga Lucas Digne. Nga pika e bardhë nuk gaboi Mikel Oyarzabal, i cili realizoi për 1-0.

Franca tentoi të reagojë, por sulmi i udhëhequr nga Kylian Mbappé, Ousmane Dembélé dhe Michael Olise nuk arriti të gjejë ritmin. Rasti më i mirë për francezët erdhi në fundin e pjesës së parë, kur Mbappé u ndal nga një pritje vendimtare e Unai Simón.

Në pjesën e dytë, Didier Deschamps provoi të ndryshonte rrjedhën e takimit me disa zëvendësime, por ishte sërish Spanja që goditi. Në minutën e 58-të, Pedro Porro finalizoi në mënyrë perfekte një kombinim të bukur me Dani Olmon, duke dyfishuar avantazhin e iberikëve.

Vetëm pak minuta më vonë, Lamine Yamal e dërgoi topin në rrjetë, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Nga ana tjetër, Franca pati një mundësi të artë me Rayan Cherki, por nuk arriti të shënojë, ndërsa edhe tentativa e Désiré Doué para portës mbeti e pashfrytëzuar.

Deri në fund, Spanja administroi me qetësi rezultatin, duke mos lejuar Francën të rikthehej në lojë. Me fitoren 2-0, "La Roja" siguron një vend në finalen e madhe të Kupës së Botës, ku do të përballet me fituesen e gjysmëfinales mes Anglisë dhe Argjentinës. Franca, ndërkohë, i jep fund ëndrrës për trofeun dhe largohet nga turneu pas një paraqitjeje nën pritshmëri./Versus.al

Poll