
Një zhytës ka arritur të filmojë një takim të rrallë me një peshkaqen të bardhë në Detin Mesdhe, një ngjarje e konsideruar e veçantë nga ekspertët për shkak të rrallësisë së kësaj specieje në këtë zonë.
Zhytësi Derk Remmers e ka përshkruar momentin si emocionues dhe të papritur, duke thënë për BBC se peshkaqeni ishte shumë pranë tyre dhe se i dridheshin duart gjatë përdorimit të kamerës në atë situatë.
Sipas tij, “peshkaqeni ishte shumë pranë nesh… dhe gishtat më dridheshin kur po përpiqesha ta vija kamerën në funksion”.
Shkencëtarët bëjnë me dije se individi i vëzhguar mendohet të ketë qenë një mashkull i rritur dhe është parë në ujërat e hapura mes Tunizisë dhe Siçilisë. Ata theksojnë se nuk ka arsye për shqetësim, pasi kafsha ndodhej larg brigjeve dhe në habitatin e saj natyror.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se peshkimi i pakontrolluar ka ndikuar ndjeshëm në uljen e numrit të peshkaqenëve të bardhë në Mesdhe, duke e çuar këtë specie drejt rrezikut të zhdukjes në rajon.
Pamjet janë realizuar nga një ekip i organizatës mjedisore Healthy Seas gjatë një ekspedite që synonte të evidentonte problemin e rrjetave të braktisura të peshkimit, të njohura si “ghost nets”, të cilat vazhdojnë të përbëjnë rrezik për jetën detare.
Shkencëtarët shpresojnë që ky vëzhgim i rrallë të shërbejë si nxitje për forcimin e masave të mbrojtjes së ekosistemit detar në Mesdhe.Versus.al

