
Kryenegociatorja për integrimin në BE, Majlinda Dhuka raportoi gjatë ditës së sotme në komisionin e Politikës së Jashtme lidhur me ecurinë e kapitujve të negociatave për anëtarësimin. Ajo tha se kapitulli më sfidues është ai për mbrojtjen e mjedisit pasi kërkon investime të mëdha në infrastrukturë për të mos lejuar ndotjen në ajër dhe ujë.
“Është një nga fushat më sfiduese për anëtarësimin dhe pas anëtarësimit duke qenë se kërkon investime të mëdha në infrastrukturën publike e private sa i përket ndotjeve në ajër, ujërave, ndaj do të na duhet të punojmë të gjithë së bashku në lidhje me burimet e rinovueshme”, tha Dhuka.
Gjithashtu u shpreh se ende janë pezull kapitujt për drejtësinë e sigurinë.
“Po diskutohen kushtet për kapitujt drejtësia dhe siguria. Shqipëria pret me interes të lartë përfundimin e diskutimeve me vendet anëtare. Kjo do t’i jepte vendit dritën jeshile për t’u futur formalisht në fazën e mbylljes së negociatave”, tha Dhuka.
Në total BE i ka vendosur Shqipërisë 101 kushte për procesin e mbylljes së negociatave. Nga 10 grupkapituj, Dhuka tha se ka përfunduar puna për 3 prej tyre dhe vijon për 7 të tjerë për të cilët do të paraqiten në Kuvend nisma për ndryshime ligjore. Versus.al

