
Ndërsa foli për programin “Rilindja Urbane 2.0” që parashikon fond prej 1.5 mld eurosh për transformimin e qyteteve, kryeministri Edi Rama zbuloi se pjesë e planit është reformimi i transportit publik duke furnizuar të gjitha bashkitë me autobusë elektrikë.
Ai tha se fillimit do të përqendrohen tek bashkitë me fluksin më të madh të lëvizjeve. Ndërsa shtoi se do të ndërtohen parkime mbi dhe nëntokësore nëpër qytete.
“Është e papranueshme që ne të synojmë të ngjitemi më lart si vend turistik dhe të besojmë se mund të ngjitemi më lart duke mirëmbajtur atë që kemi dhe duke pranuar këtë kategori ku jemi. Kategoria ku jemi sot është kategori që duhet më patjetër ta lëmë pas, sepse përndryshe do të na vërë poshtë si vend turistik. Muzetë e lokale janë një element, transporti modern është element i domosdoshmesh. Do krijojmë një kompani të përbashkët me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe bashkive për të furnizuar bashkitë, duke nisur me ato që kanë fluksin më të madh të turistëve, me autobusë të një gjenerate të re. Autobusë elektrikë që do të duhet të plotësojnë shumë nevoja të rritura sidomos gjatë sezonit. Tjetër komponent janë parkimet. Nuk mundet më që ne të mos hyjmë në një fazë komplet të re të ndërtimit të parkimeve në qytete, nëntokësore, mbitokësore me të gjitha ato formula që u paraqitën këtu. Gjithçka do të bëjmë me ekonominë, në sensin e fuqizimit të subjekteve vendore, tek programi për mbështetjen e bizneseve të vogla dh et mesme me garanci sovrane. Programi dyfishoi sipërmarrjen tende, për të gjithë ata që duan financim për të dyfishuar kapacitetet, tek start up-et”, tha Rama. Versus.al

