POLITIKË /

“Kërcënimet nga “Bajrat” qëndrojnë. Mandatin nuk e dorëzoj!”, Marjana Koçeku paralajmëron bashkim të votës me PD

Sa i takon qëndrimit të saj në Kuvend, Koçeku deklaroi se do të mbështesë çdo projektligj që, sipas vlerësimit të saj, është në interes të qytetarëve.

Shkruar nga Versus

“Kërcënimet nga “Bajrat” qëndrojnë.

Deputetja e pavarur Marjana Koçeku, e njohur edhe si "Neomalësorja", ka deklaruar se kërcënimet që, sipas saj, i janë bërë nga familja Bajri në Shkodër qëndrojnë dhe se i qëndron plotësisht mesazhit që publikoi pak kohë më parë në rrjetet sociale.

E ftuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, Koçeku tha se ai mesazh ka qenë i fortë, mbi baza të forta.

"I qëndroj atij mesazhi dhe besoj se është i mjaftueshëm. E kam parë në media që avokatët e Bajrit më kanë kallëzuar në SPAK, por kjo nuk më shqetëson aspak. Lufta ime nuk është kundër individëve apo familjeve të veçanta. Lufta ime është tërësisht politike dhe do të mbetet e tillë deri në fund”, deklaroi deputetja.

Koçeku tha se nuk do të heqë dorë nga mandati i deputetes, pas largimit nga Partia Socialiste, por do ta ushtrojë atë deri në fund të legjislaturës.

“Ky është sistemi elektoral që kemi. Nuk e kam zgjedhur unë, por e kam gjetur. Do të vazhdoj të ushtroj të drejtën time kushtetuese dhe do ta çoj mandatin deri në fund. Mandati nuk dorëzohet. Jam betuar para Kushtetutës dhe u kam dhënë premtim qytetarëve. Do ta vijoj këtë mandat si deputete e pavarur”, u shpreh ajo.

Sa i takon qëndrimit të saj në Kuvend, Koçeku deklaroi se do të mbështesë çdo projektligj që, sipas vlerësimit të saj, është në interes të qytetarëve.

“Të gjitha ligjet që janë në shërbim të së mirës publike dhe të qytetarëve do t’i votoj pro. Përndryshe, vota ime do të shkojë me opozitën”, tha deputetja./Versus.al

 

Poll