Në një kohë kur Partia Demokratike nuk ka zyrtarizuar ende një kandidat për Bashkinë e Tiranës, drejtori i komunikimit në PD, Alfred Lela, ka dalë me një propozim befasues: Fatos Lubonja përballë Ogerta Manastirliut, jo thjesht si një betejë zgjedhore, por si një përplasje idesh, qytetërimesh dhe botëkuptimesh për politikën.
Lela argumenton se zgjedhjet në Tiranë më 9 nëntor nuk janë për bashkinë, por kundër regjimit të Edi Ramës. Nuk bëhet fjalë për një betejë pastrimi trotuarësh apo trafik urban, por për një duel ndaj “epshit kafshëror të Ramës për të kontrolluar çdo pushtet në këtë vend”.
“Gara nuk është kundër Manastirliut, por ndaj regjimit të Ramës. Nuk është një garë për qeverisjen e qytetit, por për të demontuar Edi Ramën… për të ndalur filozofinë e tij të kapjes totale të shtetit”, shkruan Lela.
Sipas tij, opozita nuk ka luksin të zgjedhë midis kandidaturash të brendshme që nuk arrijnë të krijojnë kontrast me pushtetin aktual. Kërkohet një figurë që i del përballë Ramës me historinë, integritetin dhe guximin e tij personal.
Lubonja si simbol i “rezistencës transversale”
Alfred Lela e përshkruan Fatos Lubonjën si një “kandidat të qytetit horizontal dhe të rezistencës transversale”, një figurë që përfaqëson më shumë se një krah politik. Ai e shikon si kundër-kandidatin e Ramës, jo të Ogerta Manastirliut.
“Lubonja është një prej shumë pak relieveve që kanë mbetur në një Shoqëri të Rrafshët që Edi Rama ka ndërtuar me kujdes. Ai ka burgun, rezistencën, luftën ndaj diktaturës dhe qëndresën ndaj Berishës në '97. Ka dy dekada që lufton arketipin autoritarist të Edi Ramës, dikur mik i tij.”
Lela e përforcon idenë e tij me kujtesën politike të vitit 2003, kur PD vendosi përballë Ramës një figurë të fortë publike si Spartak Ngjela, që edhe pse nuk ishte “besnik” i strukturës, përfaqësonte një profil që krijonte përballje reale me kryebashkiakun e atëhershëm.
“Nuk kërkohet një ogert për Ogertën, por një anti-Ramë”
Shkrimi i Lelës shkon përtej propozimit personal; ai është një kritikë e drejtpërdrejtë ndaj mendësisë politike aktuale të opozitës, që sipas tij, nuk ka kapacitet për të lexuar momentin siç duhet. Ai nuk kërkon një përfaqësues konvencional, por një figurë që e vendos përballjen në një tjetër nivel.
“Nuk kërkohet një ogert apo ogertë për Ogertën e Ramës, por një anti-Ramë. Dikush që e bën duelin të duket i barabartë dhe i fitueshëm.”
Lubonja, sipas tij, nuk ka nevojë për paketim mediatik, branding apo strategji komunikimi, pasi është një zë autentik dhe i besuar, që rezonon si me të majtët, ashtu edhe me demokratët, sidomos në linjën anti-Rama.
“Ai është një zë publik i besuar, që tingëllon edhe për të majtët, edhe për gri, edhe për demokratët, me të cilët prej një dekade ndan betejën anti-Ramë.”
Në këtë kuptim, zgjedhja e Lubonjës nuk është një lëvizje taktike, por një akt që shërben për të treguar se në Tiranë, PD nuk po hyn për të ruajtur status quo-në, por për të vënë në provë vetë mitin e Ramës.
“Kontrasti është fitore, edhe nëse nuk fiton”
Edhe nëse Fatos Lubonja nuk do ta fitonte bashkinë, Lela e sheh kandidaturën e tij si një mënyrë për t’i bërë publikut një “leksion” mbi Edi Ramën, përmes kontrastit të thellë moral, ideologjik dhe historik.
“Edhe nëse nuk e fiton bashkinë, kontrasti që ai do të sigurojë do të jetë portreti më i saktë i Edi Ramës dhe një telegram për fundin e pushtetit të tij.”
Sipas tij, pas arrestimit të Erion Veliajt, skandalit të 5D, aferave me inceneratorët, Tirana është më e pambrojtur se kurrë ndaj cinizmit të propagandës së rilindjes. Dhe një figurë si Lubonja mund të jetë e vetmja që nuk përpihet nga “vakuumi i poshtërsisë së ngritur nga vetë Rama”.







