
Parlamenti Evropian i kërkon autoriteteve shqiptare një moratorium ndërtimesh në zonat e mbrojtura, teksa shpreh shqetësim serioz për zhvillimet e brenda zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë dhe se ndjekin nga afërt ato që i quajnë “protesta masive paqësore”.
Në raportin e miratuar këtë të mërkurë për Shqipërinë, eurodepuetët kërkojnë gjithashtu që të ndryshohen ndërhyrjet e vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, që lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në këto zona.
Por, Rama në reagimin e tij, e quajti një gjë pozitive miratimin nga PE të amendamenteve që lidhen me zhvillimet në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës.
Ndërsa opozita thotë se amendamenti i miratuar për Vjosë-Nartën mbështet kërkesat e protestuesve dhe përmban thirrje të qarta për qeverinë shqiptare lidhur me zhvillimet në zonat e mbrojtura.
“Parlamenti Evropian flet me një zë të unifikuar me qytetarët shqiptarë që protestojnë prej ditësh: të shfuqizohen dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura, në përputhje me kërkesën e kahershme të Komisionit dhe Parlamentit Evropian, si dhe me kriteret përmbyllëse të Kapitullit 27. Por Edi Rama, që duket se ka humbur edhe sensin e të kuptuarit, bën sikur nuk di të lexojë”, tha kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi.

Çfarë thotë Amendamenti 17?
"Shpreh shqetësim serioz se zhvillimet e vazhdueshme brenda zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë demonstrojnë pasojat praktike të këtyre ndryshimeve legjislative dhe rreziqet që vijnë si pasojë e tyre për zonat me vlerë të njohur ekologjike; ndjek nga afër protestat masive paqësore që po zhvillohen në këtë drejtim; u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të vendosin menjëherë një moratorium për të gjitha procedurat e reja të lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura derisa të ndryshojnë dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura, në bazë të një kërkese të hershme nga Komisioni dhe Parlamenti dhe në përputhje me standardet përmbyllëse të Kapitullit 27, dhe derisa të sigurohet përputhshmëria e plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës; nënvizon se çdo projekt në këtë fushë duhet t'i nënshtrohet vlerësimeve gjithëpërfshirëse të ndikimit në mjedis në përputhje të plotë me standardet e BE-së, duke përfshirë një proces transparent të pjesëmarrjes publike me komunitetet lokale, shkencëtarët dhe shoqërinë civile."Versus.al

