POLITIKË /

Asokohe 4 vjeçe, deputetja e PS: Në '97-ën protestoja kundër Berishës, sot e kam koleg në Kuvend

Edhe pse në atë kohë ishte fare e vogël, Çakërri tregoi se ato kishin qenë hapat e para të saj në politikë ku më pas u angazhua me FRESH-in e PS.

Shkruar nga Versus

Asokohe 4 vjeçe, deputetja e PS: Në '97-ën protestoja

Briseida Çakërri është mes deputeteve më të reja në Kuvendin e Shqipërisë, përfaqësuese në qarkun e Vlorës. Ajo u betua më 30 tetor duke marrë vendin e Brunilda Mersinit e cila u zgjodh kryebashkiake e Vlorës.

Në një intervistë të dhënë për emisionin “Dekalog” nga Roland Qafoku, deputetja e re rrëfeu sfidat që ka kaluar përgjatë karrierës së saj për të mbërritur në momentin që mori mandatin e deputetes.

“Kam punuar me vite me radhë, por nuk mund ta dish kur do të vijë ai moment i betimit. E kam ndjekur politikën gjithmonë dhe dëshiroja të isha këtu”- nënvizoi ajo. 

Mes të tjerash, Çakërri rrëfeu një detaj interesant sesi kishte qenë pjesë e protestës në trazirat e ’97-ës duke kërkuar largimin e Sali Berishës. Ajo u shpreh se asokohe ka qenë 6 vjeç, por për ta saktësuar, në atë periudhë rezulton të ketë qenë ende 4 vjeçe duke marrë parasysh datëlindjen e ligjvënëses në maj të 1992-it. Ndërsa u shpreh se çfarë i ka mbetur në memorie nga protesta është fakti sesi Berisha është sot ende në Kuvend si koleg i saj deputet.

Pjesë nga intervista: 

Briseida Çakërri: Të parën që mbaj mend në një mënyrë jo shumë të mirë ka qenë në vitin ’97.

Roland Qafoku: Mos më thuaj se ke qenë që në shkurt të ’97-ës

Çakërri: Unë kam qenë 6 vjeçe.

Qafoku: Çfarë të ka mbetur në memorie?

Çakërri: Shumë njerëz që duhet të ishin e shkuar, sot janë në Kuvend (Sali Berisha). Nuk e kuptoj sesi mund të qëndrojë akoma aty.

Qafoku: Pra ti atëherë ishte 6 vjeçe dhe prapë tani je me Sali Berishën në parlament.

E pyetur për Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe për Sali Berishën, ajo u shpreh se:

“Edi Rama është një nga figurat më të forta të politikës shqiptare dhe do të lërë gjurmë të forta në Shqipëri. Sali Berisha, ndërkohë, është aty për të mbrojtur interesat e veta, jo të popullit”. Versus.al

Poll