
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, ka njoftuar emërimin e propozuar të 33 ambasadorëve të rinj dhe 7 zëvendësshefave të delegacioneve të Bashkimit Evropian në mbarë botën.
Mes emrave të propozuar është edhe Sofia Moreira de Sousa, e cila është përzgjedhur për postin e ambasadores së Bashkimit Evropian në Shqipëri.
Ajo aktualisht shërben si shefe e Përfaqësisë së Komisionit Evropian në Portugali, ndërsa më parë ka mbajtur detyrën e ambasadores së BE-së në Kepin e Gjelbër (Cabo Verde).
Delegacionet e Bashkimit Evropian, të cilat arrijnë në 145 në mbarë botën, përfaqësojnë BE-në në arenën ndërkombëtare dhe konsiderohen si vija e parë e mbrojtjes së interesave të Unionit jashtë kufijve të tij. Ato luajnë rol në informimin, zbatimin dhe promovimin e prioriteteve të politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së.
Emërimet e reja do të finalizohen pasi të merret miratimi zyrtar nga vendet pritëse përkatëse, aty ku është e nevojshme, si dhe pas përfundimit të procedurave administrative në kuadër të procesit të rotacionit diplomatik për vitin 2026.Versus.al

