POLITIKË /

Berisha akuza të forta ndaj qeverisë: “Nafta rekord nga taksat, 4 miliardë euro grabitje te Porti i Durrësit”

Kreu i PD sulmon çmimet, korrupsionin dhe politikat sociale, jep detaje për protestën e paralajmëruar më 17 prill dhe premton zgjedhje pa Ramën

Shkruar nga Versus

Berisha akuza të forta ndaj qeverisë: “Nafta rekord nga taksat,

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët, ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë, duke u ndalur te çmimet e karburanteve, politikat sociale, korrupsioni dhe projektet madhore në vend.

Berisha e cilësoi qëndrimin e qeverisë si “cinik” për çmimin e naftës, duke theksuar se, sipas tij, shqiptarët paguajnë rreth 1.1 euro për litër vetëm nga taksat. Ai solli si shembull diferencën mes qytetarëve dhe përdoruesve të mëdhenj, duke deklaruar se fermerët blejnë naftën shumë më shtrenjtë, çka sipas tij rrezikon falimentimin e tyre dhe braktisjen e tokave bujqësore.

Në të njëjtën linjë kritike, ai u ndal edhe te mbështetja për pensionistët, të cilën e konsideroi të pamjaftueshme dhe simbolike, duke e cilësuar si një politikë që nuk i përgjigjet nevojave reale të kësaj shtrese.

Berisha ngriti akuza edhe për korrupsion dhe keqmenaxhim të fondeve publike, duke përmendur drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama dhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku, për të cilët tha se po mbrohen përballë akuzave dhe se realiteti, sipas tij, është ndryshe nga sa paraqitet.

Një nga akuzat më të forta lidhej me projektin e Portit të Durrësit, për të cilin Berisha deklaroi se përbën një “grabitje” të pasurisë publike në vlerë deri në 4 miliardë euro. Ai kritikoi gjithashtu projektin e portit të ri në Porto Romano, duke thënë se ai do të ketë kapacitet shumë më të ulët dhe do të dëmtojë pozicionin strategjik të Shqipërisë në rajon.

Në fokus të deklaratës së tij ishin edhe zgjedhjet, ku Berisha theksoi se Partia Demokratike do të synojë kandidatë sa më përfaqësues, ndërsa përsëriti qëndrimin se zgjedhjet e lira dhe të ndershme, sipas tij, nuk mund të garantohen me kryeministrin aktual në detyrë.

Në fund, ai u ndal te protesta e paralajmëruar më 17 prill, duke theksuar se ajo do të jetë paqësore, pavarësisht pakënaqësive të qytetarëve. Sipas tij, protesta mbetet një mjet për të shprehur revoltën dhe për të kërkuar ndryshim përmes rrugëve demokratike.

 

Poll