
Në kuadër të organizimit për zgjedhjet vendore të 2027-ës, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me asamblenë socialiste në Lushnjë ku foli për arritjet e PS në 13 vite qeverisje.
Ndërsa përmendi shtimin e numrit të turistëve dhe të të ardhurave për frymë, Rama pretendoi se gjatë qeverisjes së tij, paga mesatare në sektorin privat është tani 870 euro në muaj, ndërsa ajo në sektorin publik 1 mijë euro.
‘’12 milionë me pasaportë të huaj kemi arritur ne të kemi në Shqipëri. E kemi marrë vendin me një Prodhim të Përgjithshëm Kombëtar nën 10 miliard. Sot jemi 27 miliard dhe në 2030-n do shkojmë 35 miliard. E kemi marrë me më pak se 3000 euro për frymë, sot jemi 11 mijë e 300 mos gabohem për frymë. E kemi marrë me një me një pagë mesatare qesharake. Qesharake! Sot kemi pagën e përgjithshme mesatare 870 euro se rritet në mënyrë të vazhdueshme paga mesatare për shkak se rritet në sektorin privat dhe duhet me i ndjek çdo tre muaj ndërkohë që në sektorin publik ka shkuar mbi 1000 euro.
Kemi rritur pagat e mjekëve, të mësuesve, të punonjësve të policisë, të ushtarakëve, të administratës, por sot kemi më në fund arritur të bëjmë dhe diçka tjetër. Kemi futur dhe për pagat indeksimin, gjë që e dinim që ishte i nevojshëm, por nuk e bënim dot.
Indeksimin e bënim vetëm për pensionet, se nuk mund t’i linim pensionistët pa rritje pensionesh dhe pa indeksim, se i binte që t’i linim në këmbët e inflacionit dhe prandaj kur rritja e pagës ishte x, inflacioni sado që e kemi pasur gjithmonë të ulët, e ulte fuqinë blerëse. Sot s’ka më, sot çdo pagë ka edhe indeksimin e inflacionit. I them këto me pasion sepse realisht është shumë e rëndësishme që ne të jemi me këmbë në tokë, me kokën lart dhe të shohim përpara”, deklaroi Rama. Versus.al



