POLITIKË /

Berisha e akuzoi për heshtje ndaj deklaratës skandaloze të ministres serbe, Rama: Nuk do të bëhemi kor histerik sa herë del një çyryk në Beograd

Rama mbrojti qëndrimin e qeverisë shqiptare, duke theksuar se Shqipëria ka reaguar institucionalisht përmes Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe nuk ka nevojë për deklarata të vazhdueshme ndaj çdo provokimi

Shkruar nga Versus

Berisha e akuzoi për heshtje ndaj deklaratës skandaloze të

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas deklaratave të ministres serbe Snezhana Paunoviç, e cila tha se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviçit në vitin 1998, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën”.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama mbrojti qëndrimin e qeverisë shqiptare, duke theksuar se Shqipëria ka reaguar institucionalisht përmes Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe nuk ka nevojë për deklarata të vazhdueshme ndaj çdo provokimi.

“Ideja se çdo njeri që ka një zë publik, çdo institucion dhe autoritet, u dashka të reagojë për çdo idiotësi të thënë në serbisht, deri edhe nga personazhe që sa pa e thënë idiotësinë vetëm familja e tyre e dinte se ekzistonin, është një ide që tregon se sa pak e respektojnë veten dhe vendin ata që vënë kujën e që kërkojnë edhe hesap pse nuk reagon ky e ai”, shkruan Rama.

Kryeministri theksoi se reagimi zyrtar i Shqipërisë është bërë nga ministri i Jashtëm, duke shtuar se kjo është mënyra se si vepron një shtet që respekton institucionet e veta.

“Ne kemi reaguar përmes ministrit të Jashtëm, siç bën një shtet që ka respekt për veten dhe kush kërkon nga ne që të bëhemi kor histerik sa herë del një çyryk në Beograd e flet përçart, ka ngatërruar adresë”, u shpreh ai.

Në vijim të reagimit, Rama kritikoi edhe zërat në Tiranë që, sipas tij, shfrytëzojnë situata të tilla për përfitime politike.

“Mjafton të shikosh reaguesit e rastit nga Tirana, se si gjejnë një kalë të ngordhur për të marrë poza luftëtarësh në front dhe e kupton menjëherë pse kategoria e tyre meriton vetëm keqardhjen e radhës”, shkroi kryeministri./Versus.al

 

 

Poll