Seanca e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë ka nisur me replika të forta mes deputetëve të Partisë Demokratike dhe kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, lidhur me kërkesën e opozitës për zhvillimin e menjëhershëm të një mocioni me debat për raportin e DASH mbi klimën e investimeve në Shqipëri.
Balla propozoi që debati të zhvillohet më 14 maj, propozim që u miratua me votë në seancë. Nga foltorja, ai ironizoi deputetët e opozitës duke i cilësuar si “dashnorët e rinj” të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, duke theksuar se sipas tij, ata nuk kanë mbështetur me votë ligjet që lidhen me integrimin europian që nga shtatori.
Debate u shënuan edhe për përfshirjen në kalendarin e punimeve të Kuvendit të propozimit të PS për ndryshime në rregulloren e Parlamentit. Deputetja e PD, Jorida Tabaku, deklaroi se nuk ka pasur dakordësi nga opozita, ndërsa Balla e kundërshtoi duke e cilësuar këtë pretendim si të pavërtetë.
Në rendin e ditës përfshihet edhe interpelanca me ministrin e Bujqësisë, Andis Salla, e kërkuar nga deputeti Erion Braçe, lidhur me situatën e prodhimit, përpunimit dhe tregtimit të qumështit në vend. Kjo vjen në një kohë kur blegtorët po protestojnë për mungesën e subvencioneve dhe efektet e skemës së re kombëtare të mbështetjes.
Erion Braçe është parë në hyrje të Kuvendit duke mbajtur një qese me perime, në atë që duket si simbolikë për situatën në sektorin e bujqësisë.
Seanca pritet të vijojë me pyetje-përgjigje me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, e kërkuar nga deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, mbi pabarazinë në pagat e mbi 11 mijë punonjësve të arsimit./Versus.al

