Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka marrë në konsideratë 115 materiale kallëzuese për fushatën elektorale politike në Shqipëri. Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi tha se ka informacione se këto kallëzime janë bërë nga partitë politike, qytetarë në platformën online, referime nga policia ose janë nisur si hetime nga vetë SPAK.
Deri më tani, ka nisur procesimi penal për 35 raste të denoncuara si krime zgjedhore. Mes këtyre, 8 raste janë nisur nga vetë SPAK.
“Janë 115 materiale kallëzuese nga subjekte zgjedhore, referime nga policia, të iniciuara nga vetë SPAK, denoncime në platformën online dhe denoncime nga qytetarët. Nga partitë politike janë 25 materiale kallëzuese në konsideratë. Në total janë regjistruar 35 procedime penale. Nga këto, 8 janë të regjistruara nga vetë SPAK. Sa i takon prokurorisë së Përgjithshme, janë 32 kallëzime për vepra penale në fushën e zgjedhjeve në prokurori të ndryshme”- deklaroi Celibashi. Versus.al








