
Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se nga java e ardhshme do të sekuestrohen të gjitha produktet bulmeti që tregtohen pa faturë në dyqane dhe tregje.
Gjatë një takimi me kryebashkiakët, Rama theksoi se kjo masë është e domosdoshme për respektimin e ligjit tatimor, por edhe për të parandaluar helmimet që mund të ndodhin për shkak të temperaturave të larta.
Rama paralajmëroi se nuk do të ketë më paralajmërime, por vetëm sekuestrim të produkteve që nuk disponojnë faturë.
"Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka marrë përsipër të sensibilizojë të gjithë tregtarët e qumështit dhe bulmetit për të mos tregtuar më produkte pa faturë. Nga java e ardhshme do të konfiskohen çdo shishe qumështi dhe çdo produkt bulmeti pa faturë. Përveçse kjo shkel ligjin tatimor, është gjithashtu shumë e rrezikshme në këtë periudhë me temperatura të larta, që mund të shkaktojnë helmime të shmangshme. Duke filluar nga e hëna, nuk do të ketë më paralajmërime, por vetëm sekuestrime të produkteve pa faturë në të gjitha dyqanet dhe tregjet", tha Rama./Versus.al







