Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë Evis Sala, ka zhvilluar një takim me personelin e Spitalit të Lezhë, ku ka premtuar rritje pagash për sektorin e shëndetësisë.
Rama u shpreh se, falë rritjes ekonomike, qeveria ka mundur të rrisë pagat për mësuesit, policët dhe ushtarakët, ndërsa theksoi se ky proces do të shtrihet edhe në sektorin e shëndetësisë.
“Për shkak se rritja e ekonomisë ka qenë domethënëse, plus indeksimi i vjetërsisë në punë, nuk është se nuk e kemi ditur më para, por s’ka qenë mundësi. Tani që po na ndihmon rritja ekonomike dhe kemi më shumë mundësi, e kemi vendosur për mësuesit, policët dhe ushtarakët, dhe do ta shtrijmë tek të gjithë. Por këto janë profesione me rëndësi të madhe. Besoj se në vijim do të kemi mundësi që t’i rrisim pagat”, deklaroi kryeministri.
Gjatë vizitës, kryeministri vlerësoi edhe punën e Spitalit të Lezhës, duke e cilësuar si një nga institucionet me më pak ankesa nga qytetarët. Ai tha se këtë e mat përmes ankesave që i vijnë në telefonin e tij personal.
“Kam një barometër, individual të matjes së punë së institucioneve, i cili është celulari im, ku si ta merrni me mend, vijnë shumë ankesa, dhe e kam një panoramë të pakënaqësive në territor, por për spitalin e Lezhës, nuk ka pasur shumë ankesa”, tha Rama./Versus.al

