POLITIKË /

Rama: Shqipëria ka tërhequr më shumë investime të huaja se mesatarja e rajonit në 5 vitet e fundit

Kryeministri Edi Rama thotë se Shqipëria ka regjistruar rritje të qëndrueshme të investimeve të huaja në pesë vitet e fundit, duke e pozicionuar vendin mbi mesataren e rajonit dhe duke theksuar se kjo reflekton përmirësimin e klimës së biznesit dhe rritjen ekonomike.

Shkruar nga Versus
Rama: Shqipëria ka tërhequr më shumë investime të huaja
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria gjatë pesë viteve të fundit ka tërhequr më shumë investime të huaja në raport me ekonominë, krahasuar me mesataren e rajonit.

Gjatë një deklarate në podkastin e tij “Flasim”, Rama u shpreh se investimet e huaja direkte në vend kanë arritur rreth 7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke e cilësuar këtë si një tregues të rëndësishëm të rritjes ekonomike.

Sipas tij, vetëm në vitin 2024 janë certifikuar 1.6 miliardë euro investime të huaja, ndërsa në 9 muajt e parë të vitit 2025 shifra ka arritur në 1.21 miliardë euro.

Kryeministri shtoi se stoku total i investimeve të huaja në vend ka arritur në 16.6 miliardë euro, duke theksuar se Shqipëria ka ndryshuar pozicion në rajon dhe është kthyer në një destinacion më tërheqës për investitorët.

Rama theksoi gjithashtu se rritja e investimeve është rezultat i reformave ekonomike, stabilitetit dhe përmirësimit të klimës së biznesit në vend.

''Ekonomia rritet dhe rritet në mënyrë të qëndrueshme edhe sepse investimet e huaja direkte rriten në mënyrë të qëndrueshme. Në 5 vitet e fundit, Shqipëria ka tërhequr më shumë investime të huaja në raport me ekonominë sesa mesatarja e rajonit, duke arritur në afro 7% të Prodhimit të Përgjithshëm, mbi mesataren e Ballkanit Perëndimor.

Vetëm në vitin 2024 janë certifikuar 1.6 miliardë euro investime, ndërsa në 9 muajt e parë të 2025-ës kemi arritur në 1.21 miliardë, çka konfirmon ritmin e qëndrueshëm të rritjes. Ndërkohë, stoku total i investimeve të huaja ka arritur në 16.6 miliardë euro, një shifër e paimagjinueshme deri jo shumë vite më parë.

Një shifër që tregon qartë se Shqipëria ka ndryshuar pozicionim në rajon, ka ndryshuar qasje dhe impakt, nga një treg që shihej me shumë rezervë, duke u kthyer në një vend ku investohet konkretisht dhe në perspektiva afatgjata.

Dhe, po të llogarisim aplikimet, interesimet dhe mundësitë që shohim nga e gjithë ajo çka është tryeza e dosjeve të agjencive përkatëse, atëherë mund t’ju them me plot gojën se e nesërmja është shumë më e mirë sesa e sotmja. Është një e nesërme rezultatesh që lidhen drejtpërdrejt me çfarë kemi mbjellë me mundim në tërë këto vite, me reformat transformuese që kemi bërë, me stabilitetin ekonomik që kemi krijuar, me përmirësimin në vazhdim të klimës së biznesit dhe me një qasje të strukturuar të investimeve në një mjedis të parashikueshëm për kapitalin afatgjatë.'' u shpreh ndër të tjera kryeministri Rama./Versus.al

Tags:

edi rama

Poll