
Më 13 prill në Tiranë do të zhvillohet Samiti i Diasporës, një aktivitet që mbledh shqiptarë nga e gjithë bota, në edicionin e tij të katërt.
Lajmin e ka bërë të ditur Kryeministri Edi Rama gjatë podcastit të tij “Flasim”, ku theksoi se gjatë ditëve të samitit vëmendja do të jetë te historitë e suksesit, punës dhe përkushtimit të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.
Sipas Ramës, diaspora shqiptare është shndërruar në një forcë konkrete zhvillimi dhe për herë të parë vjen në këtë samit edhe pas përfshirjes në proceset politike në vend.
“Ne e nisim më 13 prill me ceremoninë e mirëseardhjes, ku vëmendja do të jetë te njerëzit dhe historitë e tyre të suksesit”, u shpreh Rama, duke shtuar se diaspora duhet parë si një partner i rëndësishëm në transformimin e Shqipërisë.
Ai theksoi gjithashtu se sfida nuk është vetëm ruajtja e lidhjes simbolike me diasporën, por ndërtimi i një rrjeti të qëndrueshëm bashkëpunimi që forcon lidhjen e shqiptarëve anembanë botës me vendin e tyre.
“Në javën që nis nesër, mirëpresim në Tiranë Samitin e Diasporës. Edicioni i katërt që mbledh edhe njëherë shqiptarët nga të gjitha anët e botës. Ata që jetojnë e punojnë jashtë vendit, por sytë i kanë në Shqipëri. E nisim në 13 prill me ceremoninë e mirëseardhjes, ku vëmendja do të jetë te njerëzit dhe te historitë e tyre të punës, të suksesit dhe përkushtimit, që janë edhe histori krenarie shqiptare anembanë.
Por njëkohësisht edhe një hapje për vlerësim. Vlerësim jo vetëm për shqiptarët, por edhe për miq të tyre, miq të huaj, që kanë zgjedhur të jenë pjesë e rrugës së shqiptarëve. Sot diaspora është një forcë konkrete zhvillimi dhe vjen në këtë samit për herë të parë pas një përfshirjeje historike në zgjedhjet politike të vendit.
Ajo vjen si një hapësirë e zgjeruar e Shqipërisë përtej kufijve të saj dhe kthehet në një realitet shqiptar në transformim të vazhdueshëm, gjithmonë e më tepër si një partner. Sfida jonë nuk është vetëm të mbajmë këtë lidhje në një nivel simbolik, por të strukturojmë një rrjet të tërë zemrash që rrahin për Shqipërinë anembanë”, u shpreh kryeministri Rama mes të tjerash. /Versus.al

