Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria pritet të marrë në ditët në vijim një raport të rëndësishëm mbi prokurimet publike, të hartuar nga instrumente profesionale të Bashkimit Europian.
Në podcastin e përjavshëm Rama u shpreh se raporti do të ndihmojë në pasqyrimin e përmirësimeve dhe në kundërshtimin e perceptimeve negative lidhur me korrupsionin dhe menaxhimin e fondeve publike.
Sipas tij, vlerësimi është realizuar nga instrumenti SIGMA i OECD dhe Bashkimit Europian, i cili ka analizuar situatën e prokurimeve publike në vendet e rajonit.
Rama theksoi se Shqipëria rezulton e spikatur për përmirësimet e arritura në këtë fushë, duke u renditur sipas tij ndër vendet me progres më të mirë në rajon sa i përket transparencës dhe mekanizmave të prokurimeve.
Ai shtoi se raporti do të shërbejë si dëshmi e bazuar në fakte dhe shifra konkrete për të treguar realitetin e sistemit të prokurimeve publike në Shqipëri.
“Dua të ndaj me ju kënaqësinë e marrjes këto ditë të një raporti shumë domethënës të BE-së, përmes instrumentit përkatës të SIGMA dhe OECD, që kanë analizuar edhe panoramën e përgjithshme të prokurimeve publike në rajonin tonë, ku Shqipëria spikat me përmirësimet e saj dhe përmes shifrave e fakteve do i tregojmë edhe publikut sesa larg janë ato që thuhen e stërthuhen duke ushqyer një perceptim negativ lidhur me raportin e Shqipërisë me korrupsionin dhe me pozicionin e kësaj shumice ndaj korrupsionit, në raport me realitetin e fakteve dhe shifrave konkrete, të identifikuara dhe rreshtuara jo nga qeveria dhe ekspertë të saj, por nga një instrument i besueshëm dhe cilësor i BE-së, me të gjithë integritetin e duhur dhe profesional, për të treguar se cila është e vërteta edhe në atë çka lidh prokurimet publike me transparencën dhe cilësinë e mekanizmave që i vënë ato në përdorim në të mirë dhe interest ë publikut, ku Shqipëria spikat si e para në rajon’ u shpreh Rama mes të tjerave./Versus.al


