POLITIKË /

"Vendi në udhëkryqin më të rrezikshëm", Berisha: Dorëheqja e Ramës, zgjidhja e vetme për krizën

Shkruar nga Versus

"Vendi në udhëkryqin më të rrezikshëm",

Kryedemokrati Sali Berisha gjatë një konference për mediat reagoi kundër projektligjit të depozituar sot në Kuvend nga grupi parlamentar i PS me synim mos lejimin e pezullimit të kryeministrit dhe ministrave me urdhër gjykate.

Sipas tij, vendi ndodhet në udhëkryqin më të rrezikshëm dhe vetëm dorëheqja e Ramës mund t’i hapte rrugë zgjidhjes së kësaj krize. Ai shtoi se ndryshimet ligjore, Rama po i bën për të mbrojtur vjedhjet e pallogaritshme.

“Dorëheqja e Edi Ramës është kushti i të gjitha kushteve për t’i hapur rrugën zgjidhjes së udhëkryqit më të rrezikshëm në të cilit ndodhet Shqipëria në tërë kohërat e saj. Dorëheqja dhe vetëm dorëheqja e këtij armiku të rrezikshëm të paqes, stabilitetit, qenies, rendit, sigurisë së shqiptarëve, është kushti më themelor për zgjidhjen e kësaj krize që po përpin vendin çdo ditë e më shumë. Edi Rama, për të mbrojtur krimet e tij monstruoze, për të mbrojtur vjedhjet e tij të pallogaritshme, po kalon në veprimtari të tjera, në asgjësimin e sistemit të drejtësisë, në miratimin e ligjeve për të mbrojtur veten e tij dhe bandën e tij plaçkitëse qeveri. Amendamentet që kërkon të sjellë pas reagimit të fuqishëm dhe kartonit të zi që i nxorën në Bruksel, janë amendamente që kanë si qëllim kryesor të mbrojnë personin Edi Rama dhe anëtarët e organizatës së tij kriminale”, tha Berisha.

 Më tej shtoi se pezullimi i zyrtarëve të lartë është e drejtë ligjore e prokurorisë në çdo shtet të botës si masë për të mbrojtur interesat e qytetarëve kur gjejnë shkelje.

“Pezullimi i zyrtarëve nga detyra për keqbërjen e tyre ndaj qytetarëve, është një nen, është një ligj, është një e drejtë ligjore kushtetuese e prokurorisë, e institucionit të akuzës të çdo vendi. Është një e drejtë që ligjvënësit u kanë njohur prokurorëve dhe gjykatësve për të mbrojtur interesat e qytetarëve nga keqbërësit zyrtarë të lartë. Është një e drejtë e institucionit të akuzës dhe gjykatave, e sanksionuar edhe në opinionin e Komisionit të Venecias për Kodin e Procedurës Penale të Kosovës, konkretisht nenit korrespondues të nenit 224 të Kodit të Procedurës Penale të Shqipërisë. Pra, pezullimi në mënyrë absolute nuk nënkupton pezullimin e asnjë funksioni në vend. Nënkupton ndëshkimin në emër të interesave të qytetarëve të zyrtarëve më të lartë që përdorin pushtetin për të vjedhur. Pezullimi, përkundrazi synon mbrojtjen  e institucioneve, mbrojtjen e legjitimitetit të tyre, integritetit të tyre, funksionimit të tyre në përputhje me ligjin”- shtoi kryedemokrati. Versus.al

Poll