
Kryeministri Edi Rama e ka nisur mëngjesin e kësaj të mërkure duke ndarë me ndjekësit pamje nga Brukseli, ku Shqipëria shënoi një tjetër hap në procesin e integrimit europian.
Në videon e publikuar në rrjetet sociale, Rama shfaqet së bashku me delegacionin shqiptar gjatë dhe pas Konferencës Ndërqeveritare, ku vendi mbylli tre kapitujt e parë të negociatave me Bashkimin Europian.
“Mirëmëngjes dhe me një tjetër ditë të shënuar të Shqipërisë Europiane, ju uroj një ditë të mbarë”, shkroi kryeministri në postimin e tij.
Mbyllja e tre kapitujve të parë të negociatave është cilësuar si një moment i rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Gjatë konferencës në Bruksel, përfaqësues të institucioneve europiane vlerësuan ecurinë e reformave të ndërmarra nga Shqipëria dhe ritmin e procesit të integrimit.
Nga ana e tij, kryeministri Rama e ka konsideruar këtë zhvillim si një tjetër gur kilometrik drejt objektivit për anëtarësimin e plotë të vendit në Bashkimin Europian./Versus.al

