
Rozeta Dobi, e njohur publikisht si “pastruesja” e përfshirë në një nga ngjarjet më të bujshme kriminale të vitit 2023, ka lënë sot burgun e grave në Pojskë, pasi ka përfituar nga Amnistia Penale.
Dobi u arrestua në janar të vitit 2023, pas hetimeve për vjedhjen e një shume të konsiderueshme parash dhe sendesh me vlerë në banesën e ish-zyrtares së lartë të shtetit, Alda Klosi, ku ajo punonte prej rreth pesë vitesh si pastruese.
Sipas hetimeve të zhvilluara nga policia dhe prokuroria, në banesën e Rozeta Dobit u gjetën dhe u sekuestruan rreth 404 mijë euro, 8 500 dollarë amerikanë dhe bizhuteri floriri, të fshehura në tubin e aspirimit. Gjithashtu, gjatë kontrolleve u sekuestruan edhe shuma të tjera parash, si dhe tre automjete, dy prej të cilave dyshohej se ishin blerë me të ardhura të përfituara nga vjedhja.
Çështja e saj mori një jehonë të madhe publike për shkak të shumave të konsiderueshme të parave të zbuluara dhe hetimeve të mëtejshme për origjinën e tyre.
Pas vuajtjes së një pjese të dënimit, Rozeta Dobi ka lënë qelinë, duke u bërë një nga përfituese e Amnistisë Penale që hyri në fuqi së fundmi.
Nga amnistia përfiton gjithashtu edhe Erisa Fero, ish-punonjëse e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e arrestuar në dhjetor 2022 pasi u kap me 58 kilogramë kanabis.
Po ashtu lirohet nga burgu edhe Florian Përvathi, i mituri që vrau për gjakmarrje Lek Lekgjonajn, më 24 janar 2022.
Në listën e përfituesve është edhe Ariel Rraja, nipi i ish-deputetit Rrahman Rraja, i cili u arrestua pasi u kap me lëndë narkotike./Versus.al

