
“Ngjarja më e madhe në historinë e MMA-së”, kështu e përshkruan Presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti i UFC-së, Dana White, spektaklin UFC 250 Freedom të organizuar në Shtëpinë e Bardhë.
Eventi madhështor i zhvilluar në Kopshtin Jugor të rezidencës presidenciale tejkaloi çdo pritshmëri, duke mbledhur figura të njohura nga e gjithë bota dhe duke ofruar një atmosferë të jashtëzakonshme patriotike.
Kafazi i UFC-së u dekorua me flamuj amerikanë, efekte të shumta ndriçimi dhe fishekzjarre, ndërsa avionë luftarakë fluturonin mbi arenë. Luftëtarët hynin në kafaz direkt nga ambientet e Shtëpisë së Bardhë, duke e kthyer mbrëmjen në një spektakël unik.
Megjithatë, nata pati një fund të hidhur për kampionin Ilia Topuria. Luftëtari hispano-gjeorgjian humbi titullin e peshës së lehtë dhe regjistroi humbjen e parë në karrierën e tij, pasi u mposht nga Justin Gaethje me nokaut teknik (TKO) në raundin e katërt.
Topuria e nisi mirë përballjen, duke kërkuar kontrollin e luftës që në raundin e parë. Megjithatë, me kalimin e minutave, Gaethje filloi të gjente ritmin e tij, duke goditur vazhdimisht me jab dhe kombinime të fuqishme që i shkaktuan dëmtime të dukshme kampionit.

Në raundin e dytë, Topuria reagoi duke sulmuar fort trupin e kundërshtarit dhe madje tentoi një submission me trekëndësh, por amerikani arriti të shpëtonte. Raundi i tretë ishte sërish në favor të Gaethje, i cili e rrëzoi Topurian dhe e vuri në vështirësi me një tentativë për D’Arce choke. Në fund të raundit, gjendja fizike e kampionit u përkeqësua ndjeshëm, ndërsa gjaku i mbulonte fytyrën dhe shikimi në syrin e djathtë ishte pothuajse i humbur. Ai u nxorr nga ringu me ndihmë të ekipit të trajnerëve të tij pasi e kishte të pamundur të ecte vetëm për shkak të dëmtimeve të mëdha. Versus.al

