Unpublished /

Shqipëria voton! Mbi 3.7 mln zgjedhës me të drejtë vote vendosin sot për qeverisjen e 4 viteve të ardhshme

Shkruar nga Versus

Shqipëria voton! Mbi 3.7 mln zgjedhës me të drejtë vote

Shqipëria sot voton për zgjedhjen e qeverisjes së katër viteve të ardhshme. Plot 3 milionë e 700 mijë qytetarë shqiptarë kanë të drejtën e votës. Këto janë zgjedhjet e 11-ta parlamentare që pas shembjes së regjimit të diktatorit Enver Hoxha në 1991-in.

Mes miliona qytetarëve brenda dhe jashtë vendit të cilët kanë të drejtë vote, më shumë se 114 mijë persona votojnë për herë të parë. Të drejtën e votës e kanë edhe 3027 të paraburgosur dhe të dënuar.

Në garë për shumicën qeverisëse janë 11 parti politike dhe një formulë e re e përpilimit të listave ku një pjesë e kandidatëve janë në ato që konsiderohen ‘lista të sigurta’ dhe të tjerët do të duhet të marrin numër më të madh votash për të hyrë si deputetë në Kuvend.

Risia e këtyre zgjedhjeve është vota e diasporës që u mundësua për herë të parë në historinë e vendit. Mbi 245 mijë emigrantë shqiptarë u regjistruan për të votuar në këto zgjedhje, teksa 18 mijë fletë votimi nuk u arritën të shpërndaheshin nëpër shtetet ku ishin shënuar adresat e emigrantëve shqiptarë. Afati i fundit për mbërritjen e zarfeve që ende nuk janë kthyer është ora 19:00 kur edhe mbyllet afati i votimit.

Në gjithë vendin janë ngritur 5,225 qendra votimi. Procesi nis në orën 7 të mëngjesit dhe mbyllet në orën 19:00 në mbrëmje. Pas kësaj ore, do të mundet të votojnë vetëm ata që janë në radhë pranë qendrës së votimit. Policia ka angazhuar 5316 efektivë për mbarëvajtjen e procesit. Ndërsa në terren janë edhe prokurorët e SPAK për të garantuar parandalimin e krimeve zgjedhore gjatë ditës së zgjedhjeve.

Vetëm në njësinë 10 në Tiranë dhe në bashkinë Vorë, do të votohet dhe numërohet në formë elektronike. Të gjithë të tjerët do të votojnë tradicionalisht me fletë votimi. Numërimi i votave do të bëhet nëpër qendrat e qarqeve, pasi të jenë mbledhur të gjitha kutitë e zonës. Votat e diasporës do të numërohen nga komisionerë të partive në Tiranë, paralele me numërimin e votave në mbarë Shqipërinë. 

Partia Socialiste kërkon mandatin e katërt qeverisës, ndërsa PD kërkon rikthimin në pushtet. Nga ana tjetër partitë e reja kërkojnë shkundjen e sistemit të monopolit politik të ngritur nga dy partitë tradicionale. Versus.al

Poll