AKTUALITET /

Agim Ismaili i kërkonte hackerëve të SPAK info për Ulsi Manjën

Shkruar nga Versus

Agim Ismaili i kërkonte hackerëve të SPAK info për Ulsi

Emisioni “Në Shënjestër”, me autore Klodiana Lalën, solli këtë të martë detaje të reja nga dosja e hakërimit të kompjuterave të SPAK, ku tre persona janë nën akuzë, mes tyre edhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili.

Sipas dosjes hetimore, Ismaili ka deklaruar se materialet hetimore ia sillte Zambak Gjoni, një nga të akuzuarit, dhe se ato lidhen me disa hetime të zhvilluara ndaj Damian Gjiknurit. Ai ka pretenduar se nuk i ka diskutuar këto materiale me persona të tjerë dhe se i ka trajtuar “me humor”.

Megjithatë, Ismaili ka pranuar se dokumentet ia ka shpërndarë personave të tretë, ndërsa ka mohuar të ketë pasur dijeni për hakërimin e email-eve të prokurorëve të SPAK apo për ndonjë korrupsion të brendshëm në institucion.

Grupi hetues, nga ana tjetër, ka ngritur dyshime të arsyeshme për interesin e veçantë të Ismailit ndaj materialeve hetimore, interes që sipas hetimit del qartë edhe nga kërkesa e tij për të orientuar kërkimet drejt emrit të ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja. Ky orientim, sipas SPAK, është bërë përmes Zambak Gjonit, i cili më pas i është drejtuar Arnold Rrokajt – personi që dyshohet se kishte aksesuar email-et e disa prokurorëve të SPAK.

Në dëshmitë e administruara, përmenden materiale të ndryshme hetimore që janë shpërndarë: komunikime dhe përgjime nga dosja e Arben Ahmetajt, materiale hetimore në format “Word” për Damian Gjiknurin, urdhra ndalimi për shtetas të ndryshëm, procesverbale kontrolli banesash, si dhe letërporosi drejtuar autoriteteve të huaja, përfshirë Austrinë. Po ashtu, sipas Zambak Gjonit, Arnold Rrokaj i kishte dhënë atij edhe një link dhe fjalëkalim për të aksesuar përgjime të platformës Sky, edhe pse ai pretendon se nuk ka arritur të hyjë.

Hetimet kanë zbuluar se këto materiale janë shpërndarë jo vetëm te Agim Ismaili, por edhe te miq të tjerë dhe dy gazetarë, ndërsa Ismaili rezulton personi me të cilin Zambak Gjoni kishte kontaktin më të vazhdueshëm.

Në dëshminë e tij, Ismaili ka pranuar njohjen dhe marrëdhënien e ngushtë me Gjonin që prej vitit 2019, duke përshkruar edhe bashkëpunimin e tyre profesional në Drejtorinë e Burgjeve dhe më pas në IKMT. Ai ka këmbëngulur se nuk e kuptoi rëndësinë e materialeve në momentin që i shpërndau dhe se bisedat për emra konkretë, përfshirë atë të ministrit Manja, ishin në kuadrin e “shakasë”.

Grupi hetues, ndërkohë, vlerëson se interesimi i Ismailit për dosje komprometuese lidhet me shkarkimin e tij nga detyra e drejtorit të Burgjeve, me firmë të ministrit të Drejtësisë, pas kontrolleve të KLSH-së. Sipas kësaj piste, orientimi i kërkimeve drejt emrit të Ulsi Manjës synonte gjetjen e materialeve inkriminuese për eprorin e tij politik.

Hetimet vijojnë për veprën penale të përgjimit të paligjshëm të të dhënave kompjuterike, të kryer në formën e bashkëpunimit në grup të strukturuar kriminal

Poll