Dhuna fizike, plagosjet, grabitjet me dhunë, shpërndarja e lëndëve narkotike dhe armëmbajtja pa leje janë krimet kryesore për të cilat po përballen gjithnjë e më shumë të mitur në vend. Të dhënat zyrtare tregojnë një rritje shqetësuese të përfshirjes së fëmijëve në vepra penale, duke e kthyer fenomenin në një alarm serioz social dhe institucional.
Vetëm për qytetin e Tiranës, gjatë periudhës së fundit janë proceduar penalisht 870 të mitur, ku pjesën më të madhe e zënë rastet e dhunës fizike mes bashkëmoshatarësh. Ndërkohë, 317 fëmijë të moshës 14 deri në 18 vjeç nuk kanë përfituar nga masat e shmangies dhe për këtë arsye ndodhen nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga shërbimi i provës.

Këta të mitur kontrollohen çdo javë përmes intervistave dhe monitorimit të sjelljes, me qëllim zbatimin e vendimeve gjyqësore. Masat ndaj tyre përfshijnë detyrimin për të ndjekur rregullisht shkollën, paraqitjen periodike pranë institucioneve përkatëse dhe qëndrimin larg situatave problematike apo personave me precedentë penalë.
Edhe pse po zbatohet i ashtuquajturi “kod miqësor” për trajtimin e të miturve në konflikt me ligjin, shifrat tregojnë se fenomeni është në rritje dhe po shfaq forma gjithnjë e më të rënda. Ekspertët e rendit publik theksojnë se dhuna mes fëmijëve mbetet problematika kryesore, e ndjekur nga përfshirja në veprimtari kriminale më të organizuara.

