AKTUALITET /

Arrestohet në Shqipëri i dyshuari për atentatin në Ibiza, akuzohet për tentativë vrasjeje

Ngjarja për të cilën ai akuzohet ka ndodhur më 21 qershor 2024 në zonën Sant Josep de Sa Talaia, ku një person mbeti i plagosur rëndë pasi ndaj tij u qëllua disa herë me armë zjarri.

Shkruar nga Versus

Arrestohet në Shqipëri i dyshuari për atentatin në Ibiza,

Një person i dyshuar për një atentat me armë zjarri në ishullin Ibiza të Spanjës është arrestuar në Shqipëri, pas një hetimi të zhvilluar nga autoritetet spanjolle.

Ngjarja për të cilën ai akuzohet ka ndodhur më 21 qershor 2024 në zonën Sant Josep de Sa Talaia, ku një person mbeti i plagosur rëndë pasi ndaj tij u qëllua disa herë me armë zjarri.

Sipas hetimeve të Gardës Civile spanjolle, sulmi dyshohet se lidhet me konflikte mes grupeve të përfshira në trafikun e drogës. I plagosuri ishte dërguar në hyrje të spitalit Can Misses nga një automjet, i cili më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Viktima kishte marrë dy plumba dhe, për shkak të gjendjes së rëndë, ishte transportuar për trajtim të specializuar në Spitalin Universitar Son Espases në Majorka.

Hetuesit spanjollë zbuluan se versioni fillestar i dhënë për ngjarjen nuk përputhej me provat e mbledhura. Sipas tyre, viktima dhe personi që e shoqëronte dyshohet se kishin tentuar të grabisnin një ngarkesë droge të një grupi kriminal shqiptar që vepronte në Ibiza.

I dyshuari për të shtënat dyshohet se ishte pjesë e këtij grupi dhe kishte rol në ruajtjen e një prone luksoze pranë vendit ku ndodhi ngjarja. Pas atentatit, ai ishte larguar nga Ibiza dhe ishte vendosur në Shqipëri.

Pas lokalizimit nga autoritetet, policia shqiptare bëri arrestimin e tij, ndërsa tashmë priten procedurat për ekstradimin drejt Spanjës, ku ai do të përballet me akuzën e tentativës së vrasjes.

Hetimi është zhvilluar në kuadër të operacionit “Vlad Ib”, me bashkëpunimin e autoriteteve shqiptare dhe atyre spanjolle./Versus.al

Poll