AKTUALITET /

Autoriteti i Konkurrencës nis hetim ndaj kompanisë “Shpresa–AL” për rritjen e çmimit të biletës në transportin urban të Kamzës

Nga vlerësimi fillestar i Konkurrencës, rezulton se mungojnë analiza ekonomike dhe financiare që të justifikojnë rritjen e çmimit të biletës.

Shkruar nga Versus

Autoriteti i Konkurrencës nis hetim ndaj kompanisë

Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar sot hapjen e një hetimi paraprak ndaj kompanisë “SHPRESA – AL SHPK”, pas rritjes së çmimit të biletës në linjat urbane Kamëz–Tiranë–Kamëz dhe Paskuqan–Babrru–Tiranë.

Hetimi vjen pas ankesave nga qytetarë dhe shqetësimeve publike për rritjen e tarifave pa analiza justifikuese.

Sipas njoftimit, kompania “SHPRESA – AL SHPK” është operatori i vetëm i licencuar në këto linja, duke zotëruar pozitë dominuese në tregun e transportit publik në Bashkinë Kamëz.

Nga vlerësimi fillestar i Konkurrencës, rezulton se mungojnë analiza ekonomike dhe financiare që të justifikojnë rritjen e çmimit të biletës.

Rritja e fundit e vendosur me vendim të Këshillit Bashkiak të Kamzës e çoi çmimin e biletës në 50 lekë, ose 10 lekë më shumë se dy muaj më parë, ndërsa çmimi i abonesë mujore u rrit në 1,400 lekë.

Autoriteti i Konkurrencës bën të ditur se hetimi do të mbulojë periudhën 1 janar 2025 – 12 dhjetor 2025, ndërsa rezultatet dhe çdo vendimmarrje e mëtejshme do të bëhen publike pas përfundimit të procedurës.

Njoftimi:

Autoriteti i Konkurrencës hap hetim paraprak në transportin urban në Kamëz

Pas ankesave dhe shqetësimeve publike për rritjen e çmimeve të biletave dhe aboneve, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur hapjen e hetimit paraprak ndaj SHPRESA – AL SHPK.

Linjat e përfshira

· Kamëz – Tiranë – Kamëz

· Paskuqan – Babrru – Tiranë

SHPRESA – AL SHPK rezulton operatori i vetëm i licencuar, duke zotëruar pozitë dominuese në treg.

Nga vlerësimi paraprak, mungojnë analiza ekonomike dhe financiare që të justifikojnë rritjen e tarifave.

Periudha e hetimit: 1 janar 2025 – 12 dhjetor 2025

Autoriteti i Konkurrencës do të vijojë me trajtimin e çështjes dhe do të informojë publikun për rezultatet e procedurës dhe çdo vendimmarrje të mëtejshme.

Po ashtu, Bashkia Kamëz ka rritur edhe çmimin e abonesë mujore, në 1400 lekë, ndërsa çmimi i abonesë së përgjithshme është caktuar 1600 lekë./Versus.al

Poll