AKTUALITET /

CNN: Rrëfimi tronditës i pastrueses shqiptare që i mbijetoi masakrës me armë zjarri në Manhattan

“Ai u shfaq papritur në pragun e derës dhe më drejtoi armën. Filloi të qëllojë rreth meje. Instinktivisht ngrita duart dhe thashë: ‘Jam pastruese! Vetëm pastruese!’ Por ai kishte një armë automatike. Nuk i interesonte kush isha. Mund të më qëllonte pa mëshirë.”

Shkruar nga Versus

CNN: Rrëfimi tronditës i pastrueses shqiptare që i mbijetoi

CNN ka publikuar një rrëfim prekës dhe tronditës të Sebije Neloviçit, një pastruese shqiptare që prej 27 vitesh punon në një ndërtesë zyrash në Manhattan, New York. Ajo është një ndër të mbijetuarat e një ngjarjeje tragjike, ku një person i armatosur vrau katër vetë para se t’i jepte fund jetës së tij.

Për Sebijen, gjithçka kishte nisur si një ditë e zakonshme pune.

“Të hënën po mblidhja mbeturinat, si çdo ditë tjetër,” – kujton ajo. “Isha në katin e 33-të kur dëgjova një zhurmë të fortë. Fillimisht mendova se ishin fishekzjarre. Pashë derën prej xhami pranë recepsionit që tundej… dhe më pas, ra me një ‘boom’ të fortë.”

Pak çaste më pas, ajo përballet ballë për ballë me sulmuesin. “Ai u shfaq papritur në pragun e derës dhe më drejtoi armën. Filloi të qëllojë rreth meje. Instinktivisht ngrita duart dhe thashë: ‘Jam pastruese! Vetëm pastruese!’ Por ai kishte një armë automatike. Nuk i interesonte kush isha. Mund të më qëllonte pa mëshirë.”

Në atë moment frike dhe ankthi, Sebija vrapoi mes zhurmave dhe britmave në korridor. “Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Arrita të fshihesha në një dollap dhe mbeta aty, duke u lutur në heshtje.”

Frika nuk kishte mbaruar. Ajo dëgjoi hapat e sulmuesit që afroheshin. “Ai qëlloi drejt dollapit ku isha fshehur. U trondita. U duk sikur gjithçka përfundoi aty. Por më pas e dëgjova duke u larguar… dhe mendimet e para që më erdhën në mendje ishin për Julian, sekretaren. Ajo ishte në tavolinën e saj, pranë portës. Mendova me zemër: O Zot, ndihmoje!”

Brenda dollapit, në errësirë e frikë, Sebija kaloi mbi dy orë në ankth. Mbikëqyrësi i saj filloi ta telefononte dhe i dërgonte mesazhe. “I thashë se isha në dollap dhe ai më udhëzoi të mos dilja. U frikësova mos telefoni bënte zhurmë, ndaj e fikja herë pas here.”

Pas orësh të tëra në tmerr, ajo doli gjallë dhe fizikisht e padëmtuar. Por plagët emocionale, stresi dhe tronditja, mbeten të thella. “Çdo ditë ndihem më e stresuar, më e lënduar. Nuk është e lehtë ta përballosh atë çfarë ndodhi.”

Sulmuesi kishte vrarë katër persona përpara se të vetëvritej. Mes zjarrit, britmave dhe kaosit, Sebije Neloviç shpëtoi vetëm nga instinkti për të mbijetuar. / Versus

Poll