
Një operacion i gjerë i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka goditur këtë të premte një nga organizatat më të mëdha kriminale në vend, duke çuar në lëshimin e 20 masave të sigurisë ndaj personave të dyshuar për trafik ndërkombëtar kokaine, pastrim parash dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Me firmën e drejtuesit të SPAK-ut, Altin Dumani, dhe prokurores Elida Kaçkini, janë firmosur 15 masa “arrest me burg” dhe 5 masa “arrest shtëpie”.
Sipas hetimeve, grupi kriminal trafikonte kokainë nga vende të Amerikës Latine, përfshirë Kolumbia, Ekuadori, Bolivia, Surinami, Paraguai, Uruguai, Brazili dhe Porto Riko drejt tregjeve europiane. Fitimet e përfituara nga trafiku i drogës dyshohet se pastroheshin përmes investimeve në Shqipëri, kryesisht në sektorin e ndërtimit dhe turizmit.
Në qendër të hetimeve ndodhet Artur Shehu, i cili po hetohet gjithashtu për çështjen e tjetërsimit të pronave në Zvërnec. Sipas SPAK, Shehu nuk është arrestuar pasi prej afro tre dekadash jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në kërkim është shpallur edhe Artur Koçeku, i konsideruar si drejtues i një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës së bashku me vëllezërit e tij. Sipas dosjes hetimore, ai ka operuar prej vitesh nga Dubai.
Për akuzën e pastrimit të parave është caktuar masë sigurie edhe ndaj Ilir Shtufi, i konsideruar si bashkëpunëtor i grupit në investimet në ndërtim. Ndërkohë, në pranga ka përfunduar biznesmeni Orest Sota.

Një tjetër grupim i hetuar nga SPAK drejtohej nga Renato Hamzai, i cili sipas hetimeve kishte lidhje me Artur Shehun. Autoritetet dyshojnë se paratë e përfituara nga aktiviteti kriminal pastroheshin përmes investimeve të ndryshme në sektorin e ndërtimit.
Gjatë operacionit u arrestua edhe Orgest Birçaj, ndërsa ndaj Edmond Jaupi u vendos masa e arrestit në shtëpi.

SPAK ka sekuestruar pasuri me vlerë miliona euro, të lidhura me anëtarët e organizatës dhe personat e afërt me ta. Sipas hetimeve, një pjesë e konsiderueshme e këtyre investimeve janë orientuar drejt ndërtimit të resorteve turistike luksoze në jug të Shqipërisë, si dhe projekteve të tjera të mëdha në sektorin e ndërtimit.
Personat ndaj të cilëve janë ngritur akuzat janë:
Artur Shehu
Ilir Shtufi
Ardian Zykaj
Alfredo Hamzai
Artur (Luciano) Koçeku
Abedin (Dino) Koçeku
Ervin Koçeku
Adrian Rama
Erjon Rama
Orgest Birçaj
Elton Memeti
Leonard Bishaj
Arben Ismaili
Edmond Jaupi
Orest Sota
Besnik Myftari
Dritan Aga
Astrit Vladi
Kastriot Vladi
Gëzim Islami
Operacioni konsiderohet si një nga goditjet më të mëdha të viteve të fundit ndaj krimit të organizuar dhe rrjeteve të dyshuara të pastrimit të parave në Shqipëri.

