Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) ka reaguar lidhur me rastin e Arben Ahmetajt dhe kontrollet e ushtruara në shtëpinë e tij dhe të bashkëjetueses së tij Erjola Hoxha si dhe më pas sekuestrimin e sendeve. Institucioni i lartë është vënë në lëvizje pas padisë së dorëzuar nga Ahmetaj dhe partnerja e tij kundër kontrolleve ndaj tyre.
Duke renditur pretendimet e tyre se nuk kishte patur procedurë të rregullt për kontrollet ndaj tyre, Ahmetaj dhe bashkëjetuesja e tij kërkojnë drejtësi në Gjykatën Evropiane. Kjo e fundit në pyetjet drejtuar qeverisë shqiptare kërkon të dijë nëse kontrolli i banesës është ushruar në përputhje me Kushtetutën që u garanton deputetëve imunitetin si dhe nëse Ahmetajt dhe bashkëjetueses së tij u janë mundësuar mjetet e duhura ligjore për të kundërshtuar sekuestrimin e sendeve të tyre.
Kërkesa e GJEDNJ ndaj qeverisë për Ahmetajn:
Aplikanti i parë ishte në kohën përkatëse Anëtar i Parlamentit (MP) dhe aplikanti i dytë është partneri i tij. Kërkesa ka të bëjë me kontrollet e personit dhe telefonit celular të aplikantit të dytë dhe të banesës së përbashkët të aplikantëve, të kryera më 9 mars 2023, në bazë të një vendimi të Gjykatës Speciale për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar të lëshuar më 8 mars 2023. Vendimi përfundimtar u miratua nga Gjykata Kushtetuese më 12 dhjetor 2023 dhe iu dorëzua aplikantëve më 12 janar 2024.
Aplikantët ankohen se kontrolli i banesës së tyre ishte i paligjshëm sepse aplikanti i parë ishte deputet në kohën përkatëse, dhe shtëpia e tij nuk mund të kontrollohej pa autorizim paraprak parlamentar (sipas Nenit 73 (2) të Kushtetutës); dhe se ata nuk kishin qasje në një procedure për të kundërshtuar kontrollet në fjalë, në kundërshtim me kërkesat e Neneve 8 dhe 13 të Konventës.
PYETJE PËR PALËT
1. A pati shkelje të së drejtës së aplikantit të parë për respektimin e shtëpisë së tij, të garantuar nga Neni 8 i Konventës? Në veçanti, a u krye kontrolli i banesës në përputhje me Nenin 73 (2) të Kushtetutës mbi imunitetet e deputetëve? A i shteroi aplikanti i parë ndonjë mjet efektiv të brendshëm në këtë drejtim?
2. A u siguruan legjislacioni dhe praktika vendase aplikantëve mjete procedurale të mjaftueshme për të kundërshtuar ligjshmërinë e urdhrit të kontrollit, modalitetet e kontrolleve të banesës së tyre dhe personit dhe telefonit celular të aplikantit të dytë, ose sekuestrimin e sendeve në banesën e tyre, siç kërkohet sipas neneve 8 dhe 13 të Konventës (shih Brazzi kundër Italisë, nr. 57278/11, §§ 41-48, 27 shtator 2018; Giuliano Germano kundër Italisë, nr. 10794/12, § 95, 22 qershor 2023; Mukhtarli kundër Azerbajxhanit, nr. 39503/17, §§ 216 dhe 217, 5 shtator 2024; dhe Posevini kundër Bullgarisë, nr. 63638/14, § 84, 19 janar 2017)? Në veçanti, a ishte vendimi gjyqësor i 8 marsit 2023 i nënshtruar ndonjë apeli?
Qeveria ftohet të ofrojë jurisprudencën përkatëse dhe shembujt e shqyrtimit nga gjykatat më të larta të apeleve të ngjashme.
Ish-zëvendës kryeministri ndodhet në arrati që prej korrikut të vitit 2023 kur u shpall edhe në kërkim ndërkombëtar për veprën penale "shpërdorim detyre" nën dyshimin se i ka shkaktuar shtetit shqiptar 7 miliardë lekë dëm në dosjen "Buka". Versus.al
Dokumenta bashkëngjitur
