
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka përsëritur pretendimet e Beogradit ndaj Kosovës, ndërsa ka sulmuar edhe bashkëpunimin ushtarak mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, duke e cilësuar atë si një aleancë të drejtuar kundër Serbisë.
Deklaratat u bënë gjatë ceremonisë së gradimit të kadetëve të rinj të Forcave të Armatosura të Serbisë, të zhvilluar në kazermën “Gjenerali Jovan Mishkoviq” në Banjica.
“Kosova është pjesë e atdheut tonë, pjesë e Serbisë sonë, si sipas Kushtetutës ashtu edhe sipas drejtësisë së Zotit. Ne duhet ta kujtojmë këtë dhe ta mbrojmë atë shenjtëri, duke mos prekur askënd, duke mos sulmuar askënd, duke mos kërcënuar askënd, por duke qenë gjithmonë me popullin tonë”, deklaroi Vuçiç.
Presidenti serb u ndal edhe te marrëveshja e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, duke pretenduar se ajo synon Serbinë.
“Ata po formonin aleanca kundër nesh në rajon. Ne i kuptuam këto lëvizje dhe filluam të bëjmë atë që ishte e nevojshme. Në kohën e sotme të trazirave dhe mungesës së zbatimit të së drejtës ndërkombëtare, ju jeni garantuesit e sigurisë dhe mbrojtjes së qytetarëve të Serbisë. Ditë të përgjegjësisë dhe më të vështira po vijnë, për këtë jeni trajnuar”, u shpreh ai.
Vuçiç theksoi gjithashtu se ushtria serbe është armatosur ndjeshëm gjatë viteve të fundit, duke pretenduar se kapacitetet e saj ushtarake nuk krahasohen me ato të vendeve të tjera të rajonit.
Në fund të ceremonisë, presidenti serb nderoi kadetët më të suksesshëm të Akademisë Ushtarake, të cilëve u dorëzoi shpata oficerësh me dedikim./Versus.al

