AKTUALITET /

“Vajzën ta besoj ty, eja merre”, Refit Buzi iu bind shefit të policisë së Roskovecit për lirimin e 24-vjeçares, por refuzoi të dorëzohej vetë

Pavarësisht përpjekjeve të Policisë, ai nuk pranoi të dorëzohej dhe më pas i dha fund jetës duke u vetëqëlluar me armë zjarri.

Shkruar nga Versus

“Vajzën ta besoj ty, eja merre”, Refit Buzi iu bind shefit

Një ditë pas ngjarjes tragjike në Roskovec, ku 35-vjeçari Refit Buzi qëlloi për vdekje prindërit e ish-të fejuarës dhe më pas vrau veten, detaje të reja janë zbardhur nga momenti i lirimit të 24-vjeçares të cilën Buzi e mbajti peng për disa orë.

Për 4 orë me radhë, policia e Shtetit dhe forcat e RENEA-s vëzhguan mjetin ku kishte qëndruar Refit Buzi duke u përpjekur ta bindin atë të lirojë vajzën dhe të dorëzohet.

Ka qenë vetë shefi i policisë së Fierit, Mariglen Korroveshaj, ai që ka negociuar drejtpërdrejt me 35-vjeçarin.

“Vajzës mos i bëj keq!”, i drejtohet ai në një moment, ndërsa Buzi përgjigjet: “Nuk e liroj, mos u afro”.

Pas disa minutash negociata, 35-vjeçari zbutet dhe pranon të lirojë pengun, duke i thënë efektivit: “Vajzën ta besoj ty, eja merre”.

Në atë moment, shefi i policisë afrohet, merr 24-vjeçaren dhe e largon nga vendi, duke e nxjerrë jashtë rrezikut.

Edhe pas lirimit të saj, negociatat vijojnë për ta bindur autorin të dorëzohet, por ai refuzon.

“Largohu… unë do të rri këtu. Mos m’u afro ose do të vras veten”, dëgjohet të thotë 35-vjeçari.

Pavarësisht përpjekjeve të Policisë, ai nuk pranoi të dorëzohej dhe më pas i dha fund jetës duke vrarë veten me armë zjarri./Versus.al

Poll