
Një shtetas shqiptar është arrestuar në Itali në kuadër të një operacioni të gjerë antidrogë, i cili çoi në sekuestrimin e mbi 11 kilogramëve kokainë me pastërti të lartë, të stampuar me logon e markës luksoze “Gucci”.
Sipas autoriteteve italiane, urdhri paraprak i ndalimit u ekzekutua nga Policia e Shtetit pas një hetimi të zhvilluar nga Seksioni Kundër Drogës i Policisë së Cuneos.
Gjatë operacionit u sekuestruan edhe mbi 15 mijë euro para në dorë, ndërsa sasia e drogës e kapur mund të prodhonte rreth 55 mijë doza për treg, me një vlerë të përllogaritur prej afro 4 milionë eurosh.
Hetimet nisën pas sinjalizimeve të qytetarëve, përfshirë raportime të bëra përmes aplikacionit Youpol, dhe u mbështetën në mjete të avancuara teknologjike, të kombinuara me metoda tradicionale hetimore. Në total janë identifikuar pesë persona, të cilët ndodhen nën hetim.
Sipas policisë, grupi kriminal merrej si me furnizimin me shumicë të kokainës, ashtu edhe me shpërndarjen e saj në tregun me pakicë. Hetuesit zbuluan se trafikantët kontaktonin klientët përmes aplikacioneve të mesazheve për t’i njoftuar për mbërritjen e sasive të reja të drogës. Vetëm një prej tyre dyshohet se ka shitur mbi 300 doza brenda një jave.
Për transportin e lëndës narkotike, të dyshuarit përdornin automjete të pajisura me vende të fshehta të krijuara posaçërisht për të shmangur kontrollet e policisë, duke lëvizur me shpejtësi mes provincave të Italisë Veriore.
Sekuestrimi më i madh gjatë operacionit përfshiu mbi 8 kilogramë kokainë, të cilën shqiptari i arrestuar dyshohet se ia kishte shitur një bashkëpunëtori, i cili më pas organizonte shpërndarjen e saj në doza për tregun e pakicës.
Në përfundim të operacionit, autoritetet italiane u bënë thirrje qytetarëve të vijojnë të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë, edhe në mënyrë anonime, përmes aplikacionit Youpol ose duke kontaktuar drejtpërdrejt policinë./Versus.al

